Shfaqet në Itali pjesa e Operës së Pekinit "Gjarpri i bardhë"

2019-01-07 17:20:37 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:京剧---[jīng jù]---Opera e Pekinit

Më 5 e 6 janar, u shfaq për dy net me radhë në qytetin Çezena të Italisë Qendrore pjesa e Operës së Pekinit "Gjarpri i bardhë", e interpretuar nga Kompania Kombëtare e Operës së Pekinit e Kinës. Me thellimin e pandërprerë të shkëmbimeve kulturore midis Kinës e vendeve të tjera, Opera e Pekinit po pëlqehet nga gjithnjë e më shumë të huaj.

Në shfaqjen e 5 janarit, teatri "Alessandro Bonci" i Çezenës ishte plot me shikues, të cilët ishin të përqendruar plotësisht në historinë prekëse dhe ndjenjat e personazheve të operës kineze. Një prej tyre, znj. Sara, tha:

"Opera është shumë e bukur. Lëvizjet janë elegante si poezi, dhe këndimi shumë interesant. Jam shumë e prekur. Në këtë operë ne pamë botën shpirtërore të kinezëve."

Shfaqja u organizua bashkërisht nga Fondacioni i Operës i Emilia-Romanjës i Italisë dhe Kompania Kombëtare e Operës së Pekinit. Kjo e fundit dërgoi në Itali aktorët e vet më të mirë, duke përfshirë mbi 20 aktorë të klasit të parë kombëtar. Drejtori artistik i Kompanisë Yu Kuizhi u shpreh se dëshira për një jetë më të bukur është një ndjenjë e përbashkët e njerëzimit dhe një temë e përhershme artistike:

"Nëpërmjet historisë mitologjike të 'Gjarprit të bardhë' shfaqet bukuria e botës së njeriut dhe karakteristikat e veçanta artistike të Operës së Pekinit: këndimi, leximi, interpretimi e kungfuja. Kjo operë mund të shfaqë plotësisht magjinë e Operës së Pekinit."

Siç bëhet e ditur, pas shfaqjes me sukses të operës "Gjarpri i bardhë", Kompania e Operës së Pekinit do të nisë në Itali turneun e shfaqjeve të operës "Turandot" të përshtatur në versionin e Operës së Pekinit, një bashkëpunim kino-italian. Lidhur me këtë, profesori i dramave aziatike i Universitetit të Bolonjës Mateo Kazari tha se repertori i pasur dhe format e larmishme të interpretimit do të bëjnë që Opera e Pekinit të njihet dhe të pëlqehet gjithnjë e më shumë nga artdashësit e huaj. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore