"Pesë pikat e Xi-ut" janë programi i ri i ribashkimit paqësor të Kinës

2019-01-04 17:02:10 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 统一---[tǒng yī]---Ribashkim

Në fillim të vitit 2019 u zhvillua në Pekin mitingu solemn përkujtimor me rastin e 40-vjetorit të publikimit të "Mesazhit për Bashkatdhetarët në Tajvan". Në këtë miting, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm mbi marrëdhëniet midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit, duke theksuar se realizimi i ribashkimit të plotë të Kinës është detyra historike dhe e palëkundur e PKK-së, qeverisë dhe popullit kinez. "Kina duhet të ribashkohet dhe do të ribashkohet patjetër," tha i vendosur kreu i shtetit i Kinës.

Analistët vunë në dukje se në fjalimin e tij, Xi Jinping-u bëri thirrje për nxitjen e përbashkët të zhvillimit paqësor të marrëdhënieve midis dy brigjeve dhe të procesit të ribashkimit paqësor të Kinës, nga pesë aspekte, si nxitja e përbashkët e përtëritjes kombëtare, eksplorimi i projektit të "dy sistemeve" në Tajvan, këmbëngulja në parimin e "Një Kine", thellimi i zhvillimit të integruar të dy brigjeve dhe afrimi shpirtëror i bashkatdhetarëve në dy brigjet.

Më konkretisht, në fjalimin e tij, Xi-u shpalli jo vetëm objektivin e ribashkimit paqësor të Kinës, që do të thotë nxitja e përtëritjes së kombit kinez, por shprehu edhe vullnetin për konsultime të barabarta me qarqet e ndryshme tajvaneze për projektin e përbashkët të "Një vend, dy sisteme" në Tajvan. Ndërkohë, kreu i Kinës paralajmëroi seriozisht se nuk do t'u lihet asnjë hapësirë elementëve të "pavarësisë së Tajvanit" për çdo veprim përçarës.

"Çështja e Tajvanit lindi si pasojë e dobësisë së kombit dhe në një kohë të trazuar, por do të përfundojë me siguri me përtëritjen e kombit." Kjo fjali e presidentit Xi ka ngjallur jehonë të gjerë te kinezët. Pas Luftës së Opiumit të vitit 1840, Kina vuajti nga vështirësitë e brendshme dhe të jashtme. Tajvani u pushtua nga Japonia për gjysmë shekulli dhe më vonë lufta civile e ndërhyrjet e jashtme i kanë vënë marrëdhëniet midis dy brigjeve të ngushticës në një gjendje të veçantë me kundërvënie politike për një kohë të gjatë.

Kur z. Ma Ying-jeou ishte në krye të Partisë Guomindanase, Tajvani pranoi dhe respektoi "Konsensusin e vitit 1992", të bazuar në konceptin "Dy brigjet e ngushticës së Tajvanit i përkasin një Kine" dhe të dyja brigjet ruajtën marrëdhëniet e qëndrueshme dhe shkëmbimet e ngushta ekonomiko-tregtare. Por, pasi dy vjet më parë erdhi në pushtet Partia Demokratike Progresive, që synon "pavarësinë e Tajvanit", u prish baza e besimit të ndërsjellë politik për shkëmbimet paqësore e miqësore midis dy brigjeve, si pasojë e mospranimit nga kjo parti të parimit të "Një Kine".

Pak kohë më parë, Kina kremtoi solemnisht 40-vjetorin e Reformës e Hapjes. Në bazë të zhvillimit 40-vjeçar, Kina është bërë ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka rezervën valutore më të madhe në botë dhe ka kontribuuar për mbi 30 % të rritjes së ekonomisë globale. Me kthimin e Kinës në pozicionin e saj si fuqi tradicionale, zgjidhja e çështjes së Tajvanit do të bëhet natyrisht një pikë kryesore e agjendës së saj.

Në fjalimin e tij, Xi Jinping-u shpalli qartazi se qarqet e ndryshme të të dy brigjeve duhet të eksplorojnë projektin e "dy sistemeve" në Tajvan. "Një vend, dy sisteme" vlerësohet nga bashkësia ndërkombëtare si modeli më i mirë dhe plot mençuri për zgjidhjen e punëve të brendshme të Kinës. Projekti i "dy sistemeve" në Tajvan është i ndryshëm nga modeli në Hong-Kong dhe në Makao. Ai do të marrë parasysh plotësisht mirëqenien e banorëve në të dy brigjet e ngushticës dhe njëkohësisht, me garantimin e sovranitetit, sigurisë dhe të interesave të zhvillimit kombëtar si kusht paraprak, statusi, sistemi shoqëror, mënyra e jetës dhe interesat e Tajvanit do të respektohen dhe sigurohen plotësisht dhe me marrëveshje institucionale.

40 vjet më parë, niveli i zhvillimit ekonomik në Tajvan ishte shumë më i lartë se në pjesën kontinentale të Kinës. Sot, pjesa kontinentale, me potencialin politik, ekonomik e ushtarak gjithnjë e më të fuqizuar, ruan ende vullnetin, tolerancën dhe besimin për ribashkimin paqësor me Tajvanin. Bashkatdhetarët në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit nuk mund ta zgjedhin historinë, por mund të përqafojnë të tashmen dhe të krijojnë të ardhmen. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore