Juncker-i: Nuk do të ketë bisedime të tjera me Britaninë për "Brexit"-in

2018-12-12 17:44:20 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:欧盟---[ōu méng]---Bashkimi Europian

Kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker (Zhan Klod Junker) u shpreh të martën se BE-ja dhe Britania kanë arritur një marrëveshje për "Brexit"-in, që është marrëveshja e vetme e mundshme, duke theksuar se BE-ja nuk do të zhvillojë më bisedime me Britaninë mbi këtë marrëveshje. Po atë ditë, kryeministrja britanike Theresa May shkoi sërish në Bruksel në përpjekje "për të përmirësuar më tej" marrëveshjen e "Brexit"-it.

Në mbledhjen plenare të Parlamentit Europian në Strasburg të Francës, kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker i njohu parlamentarët europianë lidhur me samitin e ardhshëm të BE-së. Ai e quajti si të habitshëm trajtimin sërish të temës së "Brexit"-it në samitin e BE-së:

"Në këtë samit të BE-së ka një 'vizitor' të papritur, që quhet 'Brexit'. Jam i habitur nga kjo, sepse kemi arritur një marrëveshje me Britaninë. Megjithëse ekzistojnë probleme të shumta, unë sonte do të takohem me zonjën May".

Më 25 nëntor, në samitin e posaçëm të BE-së, liderët e vendeve anëtare të BE-së miratuan zyrtarisht marrëveshjen e "Brexit"-it. Në atë kohë u besua gjerësisht që bisedimet mbi njëvjeçare BE-Britani do të përfundonin dhe procesi i "Brexit"-it do të ecte përpara me hapa konkretë. Por, për përfundimin e procesit të "Brexit"-it, kjo marrëveshje duhet të miratohet edhe nga parlamenti britanik. Kohët e fundit, disa deputetë britanikë janë shprehur qartë se do të votojnë kundër saj. Për këtë arsye, kryeministrja britanike May e anuloi votimin parlamentar që do të zhvillohej më 11 dhjetor dhe shkoi në Bruksel për t'u konsultuar sërish me liderët europianë.

Juncker-i vuri në dukje qartë që marrëveshja mes BE-së dhe Britanisë është më e mira e mundshme dhe e vetmja. Fjalët e tij u pritën me duartrokitje në Parlamentin Europian.

"Në asnjë rrethanë nuk do të ketë hapësirë për bisedime të tjera. Sigurisht, nëse gjërat shkojnë mbarë, mund të bëjmë disa sqarime dhe shpjegime pa prekur marrëveshjen e 'Brexit'-it. Të gjithë duhet ta kuptojnë që për marrëveshjen e 'Brexit'-it nuk do të ketë më bisedime," theksoi Juncker-i.

Në marrëveshjen e "Brexit"-it mes BE-së dhe Britanisë, të dyja palët kanë pranuar të ashtuquajturin "projekt garancie". Ky projekt është hartuar për të siguruar që në të ardhmen të mos ketë pika kontrolli në kufirin mes Irlandës, anëtare e BE-së, dhe Irlandës së Veriut. Para publikimit të masave të reja tregtare afatgjata, Britania do të qëndrojë në Bashkimin Doganor të BE-së. Ky "projekt garancie" në fakt është një nga arsyet kryesore për kundërshtimin e marrëveshjes së "Brexit"-it në Britani. Ka një mendim që ky projekt do të dëmtojë sovranitetin e Britanisë.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore