Intervistë me zv.ministren e Ekonomisë dhe të Financave Albana Shkurta

2018-11-09 17:32:40 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:贸易---[mào yì]---Tregti

Në Ekspozitën e 1-rë Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) që po zhvillohet në Shangai, ndër mbi 3600 kompani pjesëmarrëse nga më shumë se 130 vende e rajone të botës gjenden edhe katër pjesmarrës shqiptarë. Lidhur me ekspozitën, kryetarja e delegacionit të Shqipërisë, zv.ministrja e Ekonomisë dhe e Financave Albana Shkurta komentoi se kjo është një veprimtari konkrete e Kinës në nxitjen e hapjes së mëtejshme të vendit, që krijon një mundësi të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit, duke përfshirë edhe ndërmarrjet shqiptare të futen në tregun kinez.

Në intervistën për Radion e Jashtme të Kinës, numri dy i dikasterit shqiptar të ekonomisë vlerësoi edhe mesazhin pozitiv që dha fjalimi i presidentit kinez Xi Jinping.

"Në fakt, i gjithë fjalimi ishte vërtet frymëzues, jo vetëm iniciativa 'Një brez, një rrugë', por edhe iniciativa 'Epoka e re për një të ardhme që e ndajmë së bashku'. Mesazhi kyç është që hapja e tregut kinez paraqet një mundësi shumë të madhe jo vetëm për rritjen ekonomike të Kinës - duke patur parasysh që nxitësi kryesor i ekonomisë kineze ka qenë pikërisht rritja e kërkesës nga konsumatorët vendës - por edhe mundësitë që u jepen vendeve të tjera për të shfrytëzuar nga kjo rritje ekonomike dhe konsumi. Në këtë kuptim, koncepti që presidenti kinez dha është që një tregti e lirë dhe e hapur është në fakt në avantazhin e të gjithëve".

Zv.ministrja Shkurta foli edhe për mudnësitë e mëdha të biznesit që do të ketë pala shqiptare falë kësaj ekspozite.

"Për Shqipërinë si vend dhe për bizneset shqiptare, kjo iniciativë paraqet një mundësi shumë të mirë biznesi, veçanërisht për ato prodhues të cilët kanë pasur deri më sot aktivitet tregtar me Kinën, por në nivele shumë të ulëta, kryesisht për shkak të pengesave, barrierave tarifore ose jo-tarifore që hasin prodhuesit shqiptarë veçanërisht të produkteve agro-ushqimore në eksportin e tyre drejt Kinës. Mesa u kuptua sot edhe nga fjalimi që mbajti presidenti kinez në ceremoninë e hapjes, ky nuk është thjesht një panair, por një mesazh shumë i qartë, i vullnetit që ka Kina për të hapur tregun kinez, tashmë edhe për importet. Pra, duket promovuar fuqinë që tashmë Kina si treg që konsumon dhe jo vetëm si treg që vetëm prodhon e eksporton. Ndërkohë, në paralel ka iniciativa të tjerë të ndërmarra nga qeveria kineze, një ndër to është një iniciativë e para disa muajve në qeshor në kuadrin e Iniciativës "16+1", kur u diskutua dhe u ra dakord që të gjitha 16 vendet plus Kinën do të fillonin të gjitha përgatitjet për njohjen reciproke të çertifikatave për produktet agro-ushqimore, gjë që ishtë në fakt pengesa e fundit që i nevojitej çdo biznesi shqiptar për të pasur mundësi të eksportojë produktet e veta drejt Kinës. Gjatë diskutimeve që kishim sot dhe gjatë prezantimeve të ndryshme në panair, veçanërisht më bëri përshtypje jashtëzakonisht shumë paneli ku u diskutua për tregun dhe për hapjen e tregut, si dhe paneli tjetër ku u diskutua për tregun dhe mundësitë që ofron novacioni, jo vetëm për bizneset shumë të mëdha, por në një farë mënyre inovacioni është që ai demokratizon tregtinë, duke u dhënë mundësi edhe atyre bizneseve shumë të vegjël. Por në të vërtetë teknologjia është pikërisht ajo që mund t'ju japë mundësinë prodhuesve të vegjël në Shqipëri për të gjetur konsumatorët e vet edhe në Kinë. Ky është një nga mesazhet kyçe gjatë panelit që u diskutua me pjesëmarrës të ndryshëm. Në këtë panair, qëllimi ynë është për të promovuar Shqipërinë si destinacion turistik si dhe destinacion për investimet e huaja. Nga ana tjetër, kemi edhe disa nga bizneset që besojmë duhet të jenë tek pavijoni për produktet ushqimore, janë disa biznese të cilat tashmë kanë veprimtari tregtare me Kinën, por ndoshta do të intensifikohet akoma dhe më shumë kur të gjitha këto barriera ose kufizime ose që mentaliteti në Kinë do ndryshojë, për t'i hapur shumë më tepër mundësi bizneseve që të eksportojnë në Kinë.

Znj.Shkurta foli edhe për planin e Shqipërisë për të ardhmen

"Mund të them që për një vend të vogël si Shqipëria, ne nuk mund të konkurrojmë me ato vende të cilat kanë mundësi të një prodhimi bujqësor masiv. Ajo që vjen nga Shqipëria janë ato produkte të cilat mund të pozicionohen në tregjet e vogla, ku futen produktet e specialitetit, produktet të cilat pikërisht nga karakteristikat gjeografike që ka Shqipëria, u japin atyre produkteve një shije dhe një karakter të veçantë. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria mund të ketë disa produkte të cilat pozicionohen si konkurruese në tregjet ndërkombëtare, dhe në tregun kinez. Ajo që ka rëndësi në fakt është që ngacimimin kryesor në lidhje me produktet që vijnë nga një vend i caktuar e jep pikërisht shkëmbimi, jo vetëm i produkteve, por edhe deri diku eksperienca që njerëzit fitojnë përmes turizmit, p.sh, duke e vizituar një vend dhe pjesa e shijes që gjejnë në atë vend, pastaj kërkojnë që ta kenë në tregun ku ata shpenzojnë kohën më të madhe, e njëjta gjë ndodh edhe me përhapjen e shumë kulturave, qoftë përsa i përket kulinarisë, në përgjithësi me të gjitha vendet, d.m.th, eksperienca që njerëzit fitojnë gjatë udhëtimit, pastaj do të donin që t'i merrnin me vete një pjesë të tyre edhe në vendin ku ata jetojnë. Nga kjo pikëpamje, ne në fakt e shohim shumë të rëndësishme jo vetëm mundësinë që u jepet bizneseve shqiptare për të eksportuar produkte në Kinë, por edhe më e rëndësishme akoma, mundësia për të pasur sa më shumë vizitorë nga Kina në Shqipëri. Jam e sigurt që për shkak të nostalgjisë të viteve te dikurshme te nje miqësie mes dy vendeve, kjo nuk është një ide aq e vështirë për më tepër që tani kinezët duke udhëtuar gjithmonë e më shumë dhe ka një shtresë gjithnjë e më në rritje të popullsisë që janë në gjendje të planifikojnë udhëtime apo pushime edhe në vende deri diku larg, atëherë do të kemi mundësi që edhe produktet shqiptare ose me origjinë nga Shqipëria të bëhen edhe më të njohura. Unë mund të them në fakt që eksperienca jonë ka qënë e tillë, në kuadrin e Iniciativës "16+1" në Ningbo çdo vit në qershor, bëhet një panair ndërkombëtar me biznese dhe produkte nga 16 vendet e Europës pjesëmarrëse. Nga sa unë jam interesuar në atë panair në Ningbo, vit pas viti ka pasur rritje të numrit të bizneseve shqiptare që shkojnë atje, natyrisht ky duke qenë viti i parë, jam e sigurt që edhe ne e kuptuam se çfarë është, ne do të përgatitemi shumë mirë në edicionin e ardhshëm, po ashtu shpresojmë që edhe shumë biznese të tjera do ta shfrytëzojnë këtë mundësi".

Mrekulli
Lajmet Kryesore