Kinë, pritet rritje e vrullshme e shitjes së makinave me energji të re

2018-11-01 16:29:20 CRI Komenti juaj Printoni

 Fjala kyçe:能源---[néng yuán]---Energji

Të mërkurën u mbyll në Pekin Forumi i 12-të Ndërkombëtar i Energjisë së Re i Kinës. Sipas një raporti të publikuar në këtë forum, parashikohet që sivjet do të shiten 1.05 milion makina me energji të re në mbarë vendin, shifër kjo 45 % më e lartë se vjet. Në të njëjtën kohë, pritet të formohet edhe zinxhiri i plotë industrial përkatës.

Raporti mbi zhvillimin e industrisë së makinave me energji të re të Kinës tregon se makinat që përdorin energji të re kanë hyrë në një periudhë të re zhvillimi. Shumë vende kanë hartuar planet e ndalimit të shitjes së makinave me karburant, ndërsa shumë prodhues të rëndësishëm, por edhe të matur, të automjeteve kanë ndryshuar qëndrim dhe po bëjnë investime strategjike në këtë drejtim.

Vitet e fundit Kina është bërë një ndër tregjet me rritje më të shpejtë të shitjes së makinave me energji të re në botë.

Raporti tregon se, vitin e kaluar, në Kinë u prodhuan dhe u shitën përkatësisht 790 mijë dhe 770 mijë makina me energji të re, duke pasur të dyja shifrat një rritje mbi 53% secila. Në mbarë vendin u instaluan 450 mijë pika të ngarkimit të baterive për makinat e energjisë së re. Sipas parashikimit, sivjet numri i shitjes së makinave me energji të re do të arrijë në 1.05 milion, shifër kjo 45% më e lartë se vjet. Ndër arsyet e rritjes së pëlqimit të konsumatorëve për këto makina, tre më kryesoret janë përparimi teknologjik, ulja e kostos së prodhimit dhe përdorimi i lehtë.

Në dokument thuhet se, me zbatimin e politikave të qeverisë për të nxitur studimin e prodhimin, si dhe me lehtësimin e hyrjes së investimeve të huaja në fushat përkatëse, makinat me energji të re do të kenë një hapësirë më të madhe zhvillimi.

Në raport përmendet njëkohësisht se katër ndryshime po duken në tregun kinez të makinave të energjisë së re, që janë përkatësisht: përqindja e makinave të udhëtarëve po rritet; më shumë individë e jo institucione publike të transportit janë bërë blerës; rritja e shitjes së makinave me energji të re po vihet re edhe në qytetet ku nuk ka kufizim të blerjes së makinave me karburant dhe më shumë njerëz po shfaqin pasion të madh për të zotëruar një makinë me energji të re.

Lidhur me këtë, analisti i kësaj industrie Wu Hui vë në dukje se, për shkak të këtyre ndryshimeve, tregu kinez i makinave me energji të re do të vazhdojë të ruajë rritjen e shpejtë, edhe pse qeveria ka pakësuar subvencionet e blerjes.

"Kjo industri ka pasur një kthesë vitet e fundit. Para disa vjetësh, qeveria ishte forca kryesore që nxiste përhapjen e makinave të energjisë së re, por tani shitja bazohet kryesisht te kërkesa e tregut. Prandaj, jemi të mendimit se pas vitit 2021, kur qeveria të anulojë të gjitha subvencionet, ky treg do të vijojë të rritet me një shpejtësi të lartë", tha z. Wu.

Disa ekspertë kanë theksuar gjithashtu se, nën ndikimin e politikave si pakësimi i subvencioneve apo heqja e kufizimit të përqindjes së zotërimit të aksioneve nga investitorët e huaj në kompanitë vendore të prodhimit të automjeteve, industria kineze e makinave me energji të re do të ndodhet para një konkurrence më të ashpër, që do të mbulojë tërë zinxhirin industrial.

Mrekulli
Lajmet Kryesore