Angela Merkeli: Nuk synoj zgjedhjen përsëri si kancelare

2018-10-30 17:20:13 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:选举---[xuǎn jǔ]---Zgjedhje

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh të hënën në Berlin se ajo mbante përgjegjësinë për dështimin e partisë së saj në zgjedhjet vendore në Hesen dhe do të hiqte dorë nga posti i kryetares së partisë, duke mos synuar gjithashtu zgjedhjen përsëri në kreun e qeverisë pas përfundimit të mandatit të tanishëm të kancelares në vitin 2021.

Në zgjedhjet për parlamentin e shtetit të Hesenit, që u zhvilluan të dielën, CDU-ja,e drejtuar nga Merkeli, fitoi vetëm 27 % të votave, 11 pikë përqindjeje më pak se në zgjedhjet e mëparshme. Ndërsa në zgjedhjet për parlamentin e shtetit të Bavarisë, edhe CSU-ja, partnere e rëndësishme e CDU-së në koalicion, pati dështim historik, duke humbur shumicën që mbante prej shumë vjetësh. Gjithashtu socialdemokratët, aleatë të Merkelit në qeveri, patën një rezultat jo të mirë. Lidhur me këtë, Merkeli u shpreh se përgjegjësia bie vetëm mbi të:

"Si kancelare e federatës, duhet të mbaj përgjegjësinë, si kur arrijmë rezultat të mirë, ashtu edhe kur humbim. Kur populli vazhdon të kritikojë procesin e formimit të kabinetit qeverisë dhe punën e koalicionit në pushtet në shtatë muajt e fundit, ky në fakt është një sinjal i qartë. Kjo situatë nuk duhet të vijojë dhe ne duhet të ndryshojmë përshtypjen e një qeverie që funksionon ngadalë."  

Kancelarja gjermane tha se, për një kohë të gjatë, ajo ka dashur të kryejë me dinjitet detyrat e kreut të partisë dhe të qeverisë në të njëjtën kohë dhe të largohej me dinjitet nga këto dy poste. Mirëpo, sipas saj, karriera politike përmban shumë faktorë të pasigurt dhe është e vështirë të realizohen gjërat e planifikuara. Prandaj, znj. Merkel tha se duhet të marrë parasysh jo vetëm dëshirat dhe përgjegjësinë personale, por edhe interesat e partisë dhe të partnerëve politikë. Ajo tha se është koha "për të hapur një faqe të re".

"Në radhë të parë, dua të deklaroj se nuk do të marr pjesë në zgjedhjet për kreun e CDU-së që do të zhvillohen në dhjetor. Së dyti, mandati im i tanishëm i katërt do të jetë mandati im i fundit në postin e kancelares së Gjermanisë. Pasi të plotësoj këtë mandat, nuk do të synoj asnjë post politik," tha Angela Merkeli.

Deri tani, Merkeli ka mbajtur pozicionin e kryetares së CDU-së për 18 vjet radhas, por në të kaluarën ka këmbëngulur që kryetari i partisë në pushtet duhet të jetë edhe kancelar i vendit.

Lidhur me deklaratën e saj në një konferencë shtypi, qarqet politike gjermane reaguan në përgjithësi pozitivisht. Kryetari i grupit parlamentar i koalicionit në pushtet Ralph Brinkhaus u shpreh se partitë që ai përfaqëson e respektojnë dhe e pranojnë dëshirën e znj. Merkel për të mos synuar zgjedhjen përsëri si kryetare e CDU-së. Kryeministri i shtetit të Rinit Verior-Vestfalisë Armin Laschet është i mendimit se Merkeli ka arritur rezultate të shumta gjatë drejtimit 18-vjeçar të CDU-së dhe vendimi i saj meriton respekt. Ndërsa, kryetari i Partisë Socialdemokrate Andrea Nahles, përveç vlerësimit pozitiv ndaj Merkelit si udhëheqëse, theksoi njëkohësisht se vendimi i kreut të qeverisë nuk do të ndikojë mbi koalicionin në pushtet.

(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore