Pjesëmarrësit italianë në Ekspozitën e 1-rë Ndërkombëtare të Importit të Kinës

2018-10-29 17:01:50 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:制造---[zhì zào]---Prodhim

Më 5 nëntor do të fillojë në Shangai Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Importit e Kinës. Në ekspozitë, mbi 200 kompani italiane do të demonstrojnë produktet dhe shërbimet e tyre përfaqësuese, si produktet e modës, ushqimet, avionët dhe makinat sportive. Pjesëmarrësit dëshirojnë që, nëpërmjet këtij ekspozite, të gjejnë mundësi bashkëpunimi për të zgjeruar tregjet e tyre në Kinë.

"Leonardo" është një prodhues i njohur italian i mjeteve të fluturimit. Në Panairin e 1-rë Ndërkombëtar të Importit të Kinës, kjo kompani do të sjellë produktin e vet simbol, helikopterin civil. Zv.presidenti i lartë i kompanisë Marco Buratti i tha Radios së Jashtme të Kinës se "Leonardo" ka shitur mbi 200 helikopterë në Kinë. Përveç kësaj, kjo kompani po thellon bashkëpunimin me partnerët kinezë në fushën e teknologjisë së lartë, si aeroplanët komercialë dhe pajisjet e gjurmimit satelitor. Sipas tij, Kina është një treg plot mundësi. Përveç pjesëmarrjes në ekspozitë, "Leonardo" do të ketë edhe përfaqësues në delegacionin qeveritar italian për të konsoliduar bashkëpunimin me Kinën.

Kompania e prodhimit të gomave "Pirelli" është simbol i industrisë bazë italiane të prodhimit. Kjo kompani do të ketë një pavijon të pavarur me sipërfaqe 140 metra katrorë në zonën e automjeteve të Panairit Ndërkombëtar të Importit. Presidenti i "Pirelli"-t për rajonin e Azi-Paqësorit Giuliano Menassi (Xhuljano Menasi) u shpreh se kompania e tij është e përgatitur në mënyrë të gjithanshme për pjesëmarrjen:

"Për çdo kompani që dëshiron të shfrytëzojë mundësitë e biznesit në Kinë, Ekspozita e Importit është një rast unik. Përveç një vargu produktesh konsumi, do të shfaqim edhe teknologjinë tonë të përparuar digjitale për prodhimin e gomave të makinave, me qëllim që t'i njohim miliona vizitorë me kulturën tonë të bazuar te teknologjia dhe risitë".

Ai shtoi se "Pirelli" ka krijuar dy fabrika në Kinë, zgjerimi i njërës prej të cilave sapo ka mbaruar, për të bërë përgatitje të mëtejshme për gjetjen e hapësirave në tregun e makinave elektrike në Kinë. Sipas tij, pjesëmarrja në Ekspozitën e Importit do të ndihmojë në zgjerimin e biznesit të "Pirelli"-t në Kinë.

"Nëpërmjet pjesëmarrjes, ne mund të zbulojmë hapësirat e mundshme të bashkëpunimit. Nga ana tjetër, pjesëmarrësit në ekspozitë mund të ndiejnë prirjen e zhvillimit të ardhshëm të Kinës, duke kuptuar drejtimin e kërkesës kolosale të tregut kinez, që do të na shërbejë kështu për të bërë parapërgatitje", tha presidenti i "Pirelli"-t për rajonin e Azi-Paqësorit Giuliano Menassi.

Mrekulli
Lajmet Kryesore