"Qëllon mikun pas shpine", a mund të besohet ShBA-ja?

2018-08-13 17:13:13 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:信赖---[xìn lài]---Besueshmëri

Në kohën kur monedha turke lira ndodhet në krizë dhe po pëson një rënie të madhe, presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur nëpërmjet "Twitter"-it se ShBA-ja do të dyfishojë tarifat ndaj produkteve të çelikut dhe të aluminit të importuara nga Turqia, përkatësisht në 50% dhe 20%. Para kësaj, Departamenti amerikan i Thesarit shpalli bllokimin e pasurive në ShBA të ministrit të Drejtësisë dhe të atij të Punëve të Brendshme të Turqisë. Kur ShBA-ja guxon "të qëllojë pas shpine" Turqinë, aleaten e saj, si do t'i trajtojë vendet e tjera? A është ShBA-ja një anëtar i besueshëm dhe i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare?

Në fakt këto pyetje nuk kanë lindur sot. Vjet, pas Samitit të G7-s në Sicili, kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu hapur zhgënjimin e saj. Ajo tha: "Ka kaluar koha kur mund t'u besonim plotësisht partnerëve të tjerë. Gjatë disa ditëve të fundit e ndjeva nga afër këtë. Ne evropianët duhet ta marrim vetë në dorë fatin tonë."

Konfliktet e viteve të fundit midis Turqisë dhe ShBA-së kanë ardhur nga disa shkaqe të thella dhe kyçi është qëllimi i ShBA-së për të pasur një kontroll fortë mbi politikën turke. Për këtë arsye, ShBA-ja, duke mos përfillur interesat e përbashkëta të të dy vendeve në NATO, ndërhyri në grushtin ushtarak të shtetit në Turqi në vitin 2016 dhe ka mbështetur kurdët në Siri.

Turqia nuk është e vetmja partnere tregtare e ShBA-së mbi importet e së cilës Shtëpia e Bardhë ka shtuar tarifat. Lidhur me problemet tregtare, ShBA-ja shmanget nga sistemi tregtar shumëpalësh, i përfaqësuar nga Organizata Botërore e Tregtisë, por nëpërmjet unilateralizmit synon të vendosë tarifa ndëshkuese ndaj partnerëve tregtarë në bazë të ligjeve të veta të brendshme. ShBA-ja nuk ngurron t'i godasë aleatët dhe partnerët e saj të rëndësishëm, përfshirë BE-në, Kanadanë, Meksikën, Rusinë, Kinën, Turqinë, Indinë etj. Një vend i tillë që nuk respekton rregullat ndërkombëtare, a është i besueshëm?

Si e vetmja superfuqi në botë, ShBA-ja kërkon sigurinë asbolute, pa marrë parasysh shqetësimet e vendeve të tjera për sigurinë. Buxheti ushtarak i ShBA-së për vitin 2019 arrin në 717 miliardë dollarë, shifër kjo që e kalon shumën e përgjithshme të buxheteve ushtarake të mbi dhjetë vendeve që renditen pas saj. Por këto shpenzime kolosale nuk janë të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e ShBA-së. Zv.presidenti amerikan Mike Pence i bëri thirrje Kongresit ditët e fundit të investojë edhe 8 miliardë dollarë për krijimin e "Forcës Hapësinore" në vitin 2020, duke nisur hapat e militarizmit në kozmos.

Pavarësisht nga sfidat, Turqia ka edhe alternativa të tjera. Presidenti turk Rexhep Erdogan shprehu qartazi në një fjalim të hapur se Turqia ka alternativa të tjera, përfshirë Iranin, Rusinë dhe disa vende evropiane. Në fakt, për një gjë të tillë Turqia është përgatitur prej shumë vjetësh.

Sipas një sondazhi në maj të këtij viti nga një institut gjerman, 82% e gjermanëve nuk e mendojnë ShBA-në si një partnere të besueshme, ndërkohë që 36% mendojnë se Rusia është më e besueshme. Sigurisht, një mendim i tillë nuk gjendet vetëm te gjermanët. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore