Bashkëpunimi Kinë-Europë, model i çmuar përballë luftës tregtare

2018-06-26 17:01:39 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:典范---[diǎn fàn]---Model

Të hënën u mbajt në Pekin Dialogu i 7-të Ekonomiko-Tregtar i Nivelit të Lartë Kinë-BE, mekanizmi më i lartë i dialogut kino-europian. Dialogu u drejtua nga zv.kryeministri i Kinës Liu He dhe zv.presidenti i Komisionit Europian Jyrki Katainen.

Në krahasim me gjashtë dialogët e mëparshëm, dialogu i tanishëm u zhvillua në një sfond të pazakontë.

Së pari, Kina dhe BE-ja përballen me sfidën tregtare të ShBA-së, e cila ka nisur intensivisht luftën tregtare, duke mos u lënë alternativë tjetër vendeve të prekura përveçse t'u drejtohen kundërmasave. "Mbështetje dhe nxitje globalizimit ekonomik" është thirrja e përbashkët e Kinës dhe BE-së.

Së dyti, sivjet është 40-vjetori i zbatimit të Reformës dhe Hapjes të Kinës, 15-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-europian dhe 20-vjetori i krijimit të mekanizmit të Takimit të Liderëve Kinë-BE. Dialogu i kësaj here zhvillohet në një vit kuptimplotë dhe natyrisht do të ofrojë një shans të mirë për "thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit" kino-europian.

Dialogu u mbyll me një sërë rezultatesh dhe konsensusesh, siç edhe pritej nga popujt e dy palëve dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Në radhë të parë, Kina dhe BE-ja ndajnë të njëjtat pikëpamje për kundërshtimin e unilateralizimit dhe proteksionizmit tregtar, duke u zotuar për ruajtjen e sistemit tregtar shumëpalësh, me Organizatën Botërore të Tregtisë në qendër e të bazuar në rregullat përkatëse, si dhe për të përmirësuar sistemin e qeverisjes globale. Ky konsensus pasqyron jo vetëm vetëdijen për vetëmbrojtje të Kinës dhe BE-së kundrejt luftës tregtare të ShBA-së, por edhe përgjegjësinë e dy palëve si dy ekonomi të rëndësishme në botë.

Shprehja e përshtatshme për të përshkruar gjendjen e Kinës dhe BE-së është se ato "janë vënë në qoshe". Kina përballet me tarifa të mundshme prej 250 miliardë dollarësh amerikanë mbi produktet që eksporton në ShBA, kurse BE-ja u është nënshtruar tarifave të reja mbi produktet e saj të çelikut dhe aluminit që eksporton në ShBA që nga maji dhe kërcënohet me shtimin 20 % të tarifave ndaj automjeteve të saj. Zv.presidenti i Komisionit Evropian Jyrki Katainen tha që BE-ja nuk ka zgjedhje tjetër veçse të reagojë. Ndërsa pala kineze i ka përgatitur tashmë kundërmasat "nga ana sasiore dhe cilësore".

Kina dhe BE-ja janë nxitëse të globalizimit dhe përfituese prej tij dhe nuk e dëshirojnë luftën tregtare. Nëse ShBA-ja vazhdon të veprojë me kokëfortësi, Kina dhe BE-ja janë të detyruara të luftojnë për të mbrojtur veten, ngaqë nuk mund të provokohen lidhur me interesat thelbësore të tyre. Më e rëndësishmja është që vëllimi i ekonomisë së Kinës dhe asaj të BE-së zë afro 40% të vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë globale. Zëri i përbashkët i të dy palëve do të rrisë besimin ndërkombëtar për të luftuar unilateralizmin e proteksionizmin dhe do të sjellë elemente qetësie në strukturën ndërkombëtare ku tashmë ka shumë pasiguri.

Bashkimi Evropian është tani partneri më i madhe tregtar i Kinës. Sipas të dhënave të doganave kineze, vjet vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 616.92 miliardë dollarë amerikanë, duke përbërë 15 për qind të tregtisë së jashtme të Kinës, nga 13.4 për qind në vitin 2013.

Në një raport sondazhi të Dhomës së Tregtisë të BE-së në Kinë të publikuar para disa ditësh vihet në dukje se 66 %ndër kompanitë e BE-së në Kinë të përfshira në këtë sondazh, kanë raportuar më shumë të ardhura në krahasim me vitin 2016, dhe 93 % e këtyre kompanive realizuan rritje të të ardhurave para taksimit. Ky është rezultati më pozitiv i një sondazhi të tillë të Dhomës së Tregtisë të BE-së në Kinë që nga viti 2005. 61 % e kompanive të BE-së në Kinë janë optimiste për rritjen e vazhdueshme, 6 për qind më shumë sesa një vit më parë. Raporti nënvizon se arsyet për këtë shifër janë pjekuria që ka arritur tregu kinez, masat e reja për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, rritja e kërkesës për produkte e shërbime cilësore dhe mjedisi më i mirë për kërkim-zhvillim në Kinë etj.

Sipërmarrësit evropianë janë njohur me rezultatet e dialogut të sivjetshëm ekonomiko-tregtar Kinë-BE, duke përfshirë integrimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të strategjive europiane të zhvillimit, forcimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë digjitale, ndryshimit të klimës, financave, bujqësisë dhe ekonomisë qarkulluese. Ata janë njohur gjithashtu me faktin se të dy palët do të shkëmbejnë listë me investime me shifra konkrete gjatë takimit të 20-të të liderëve Kinë-BE. Pa dyshim, këto masa do të zgjerojnë hapësirën për kompanitë kineze dhe evropiane për të krijuar më shumë pasuri. Ato gjithashtu do ta bëjnë tregtinë kino-europiane më të ndërvarur, më të balancuar dhe më të qëndrueshme ndaj trysnisë nga jashtë. (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore