Ekspertët amerikanë: Tensionet tregtare ShBA-Kinë, diferencat ekonomike janë politizuar

2018-06-18 13:08:55 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:专家---[zhuān jiā]---Ekspert

Njoftimi i fundit nga ShBA-ja për shtimin e tarifave mbi importet kineze ka tensionuar më tej marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Sipas ekspertëve nga universitetet më të mira të Shteteve të Bashkuara, kjo ka ndodhur kryesisht për arsye që diferencat ekonomike midis dy vendeve janë politizuar.

Të premten e kaluar, ShBA-ja shpalli tarifa shtesë prej 25 për qind mbi produktet kineze që hyjnë në tregun amerikan, me një vlerë afro 50 miliardë dollarë amerikanë.

Përpara këtij njoftimi, Geoffrey Garrett, dekani i Shkollës "Wharton" të Universitetit të Pensilvanias, një shkollë biznesi e nivelit të parë, u shpreh që diferencat ekonomike midis ShBA-së dhe Kinës janë bërë më politike:

"Fatkeqësisht, në hartimin e politikave ekonomike ende ekziston prirja për të menduar me një mendësi të vjetër, që fitojmë nga eksporti dhe humbim nga importi dhe që mosbalanca tregtare do të thotë që gjërat janë të padrejta. Por kjo është e pakuptimtë në një ekonomi globale me rrjet global shpërndarjeje e zinxhir global furnizimi. Ne e dimë këtë. Kur i politizon diferencat, je i prirur të fokusohesh mbi fërkimet, të fokusohesh te ideja që njëri fiton dhe tjetri humb, e jo te përfitimet e përbashkëta."

Geoffrey Garret i bëri këto komente në Forumin Global "Wharton" për vitin 2018 në Nju-Jork.

Ai shtoi se Kina ka strategjinë e vet të zhvillimit ekonomik dhe i këshilloi politikëbërësit amerikanë të mos ndërhyjnë në rrugën e zhvillimit të Kinës, por të përpiqen të gjejnë mënyrat që edhe ShBA-ja të përfitojë nga ky zhvillim. Dekani i "Wharton"-it tha që vendosja e pengesave ndaj tregtisë, investimeve e hyrjes në treg nuk është kurrë një zgjedhje e mirë.

Mauro Guillen, drejtor i Institutit "Launder" të Menaxhimit dhe të Studimeve Ndërkombëtare pranë Shkollës "Wharton", ishte edhe më i prerë në opinionin e tij, duke thënë që kjo do të jetë hera e fundit që Shtetet e Bashkuara mund ta përdorin proteksionizmin si një levë në bisedimet e tregtisë globale:

"Mendoj se presidenti Trump do të jetë presidenti i fundit amerikan që do ta përdorë proteksionizmin si një armë. Në pesë a dhjetë vjetët e ardhshëm tregu amerikan do të bëhet më i vogël sesa është tani në krahasim me vendet e tjera të botës. Jam thellësisht i bindur që proteksionizmi është dritëshkurtër dhe nuk ka kuptim."

Guillen tha që Kina është duke u bërë bëhet tregu më i madh i konsumit në botë dhe çdo gjë në ekonominë globale, përfshirë ekonominë e ShBA-së, do të vërtitet rreth kësaj prirjeje të re.

Duke folur për marrëdhëniet tregtare midis ShBA-së dhe Kinës, dekani i Shkollës "Wharton" pranë Universitetit të Pensilvanias Geoffrey Garrett tha se, megjithëqë Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë ekonomi të ndryshme, të dyja kanë ditur të përfitojnë nga diferencat ekonomike mes tyre gjatë katër dhjetëvjeçarëve të kaluar. Lidhur me të ardhmen, Garrett-i vëren që të dyja palët duhet të këmbëngulin në bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta:

"Shtetet e Bashkuara dhe Kina i kanë shfrytëzuar diferencat në mënyrë shumë efektive ekonomikisht gjatë 40 vjetëve të kaluar, së pari me anë të transferimit të manifakturës me kosto të ulët në Kinë dhe së fundmi nga rritja e tregut kinez dhe ndikimi i jashtëzakonshëm i një gjëje të tillë mbi kompanitë si 'General Motors' e 'Apple'. Çfarë ka të përbashkët? E përbashkëta është që Kina është tregu më i madh në rritje. Prandaj në 40 vjetët e kaluar diferenca ka qenë vërtet një burim fuqie ekonomike për të dyja palët, duke sjellë përfitime të përbashkëta. Le të fokusohemi te përfitimet e përbashkëta, ne duhet të arrijmë përfitime të përbashkëta. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por nëse fokusohemi te përfitimet e përbashkëta, mendoj se kjo do të jetë në të mirë jo vetëm të të dy vendeve, por edhe të botës."

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore