"Fryma e Shangait" hap faqen e re të bashkëpunimit të OBSh-së

2018-06-07 19:54:03 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:精神---[jīng shén]---Frymë

Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) do të zhvillohet të shtunën dhe të dielën në Qingdao. Qysh nga krijimi i kësaj organizate në vitin 2001, vendet anëtare e kanë thelluar më tej besimin e ndërsjellë politik, bashkëpunimin pragmatik e shkëmbimet njerëzore në bazë të "Frymës së Shangait", që është besimi i ndërsjellë, përfitimet e përbashkëta, barazia, konsultimet, respektimi i larmisë kulturore dhe zhvillimi i përbashkët, duke tërhequr edhe anëtarësimin e Indisë dhe të Pakistanit. Sot, në pikënisjen e re historike, "Fryma e Shangait" është bërë forca nxitëse shpirtërore për zhvillimin e përbashkët të vendeve anëtare të kësaj organizate.

Vendet anëtare të OBSh-së ndodhen në Azi dhe Evropë dhe kanë realitete të ndryshme. Sipas "Frymës së Shangait", të gjitha vendet anëtare të OBSh-së, pavarësisht të mëdha apo të vogla, janë të barabarta dhe synojnë zhvillimin e përbashkët në bazë të parimit të konsultimeve. Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore pranë OBSh-së Shi Ze është i mendimit se pikërisht kjo frymë e barazisë dhe e konsultimeve ka krijuar kohezionin brenda OBSh-së dhe ka nxitur zhvillimin e kësaj organizate:

"Vendet me sisteme shoqërore, kultura e koncepte të ndryshme vlerash dhe në nivele të ndryshme të zhvillimit ekonomik, mblidhen bashkë dhe synojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal, zhvillimin e përbashkët dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë e të lulëzimit të rajonit. Me këtë parakusht, mendoj se 'Fryma e Shangait' do të vazhdojë ta drejtojë zhvillimin e kësaj organizate."

Gjatë mbi dhjetë vjetëve, prirja e globalizimit jo vetëm i ka thelluar lidhjet midis vendeve të ndryshme, por ka shtuar edhe mosmarrëveshjet e rreziqet. Mohsen Shariatinia, profesor në Universitetin "Shahid Beheshti" të Iranit, është i mendimit se "Fryma e Shangait" shërben si shembull për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve midis vendeve dhe për nxitjen e bashkëpunimit.

"Jam i mendimit se 'Fryma e Shangait' është një nga mjetet e rëndësishme për nxitjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe për forcimin e bashkëpunimit. Në vitet e ardhshme, kontinenti euroaziatik, dhe veçanërisht pjesa lindore e tij, do të ketë rëndësi të madhe gjeostrategjike për ekonomitë e reja. Midis vendeve të këtij rajoni ekzistojnë shumë mosmarrëveshje kufitare, por edhe shumë interesa të përbashkëta. Në këtë drejtim, 'Fryma e Shangait' u ofron një shembull këtyre vendeve për bashkëpunim dhe konsultime," vëren Shariatinia.

Organizata e Bashkëpunimit të Shangait në fillim kishte vetëm gjashtë vende anëtare: Kina, Rusia, Kazakistani, Kirgizistani, Taxhikistani e Uzbekistani. Vitin e kaluar u shtuan dy vende të reja anëtare, India e Pakistani, si dhe katër vende vëzhguese - Afganistani, Bjellorusia, Irani e Mongolia - dhe gjashtë partnerë dialogu: Azerbajxhani, Armenia, Kamboxhia, Nepali, Turqia dhe Sri-Lanka. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore