Putin flet mbi marrëdhëniet Kinë-Rusi

2018-06-06 19:08:27 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:采访---[cǎi fǎng]---Intervistë

Para pjesëmarrjes në samitin e Qingdao-s të Këshillit të Liderëve të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) dhe vizitës së tij shtetërore në Kinë, presidenti rus Vladimir Putin pranoi më 31 maj të intervistohej nga drejtori i Grupit Mediatik të Kinës, Shen Haixiong. Gjatë intervistës, presidenti rus foli mbi marrëdhëniet midis Kinës e Rusisë, perspektivat e vendeve anëtare pas zgjerimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait etj.

"I nderuar president Putin, ju falënderojmë që pranuat intervistën ekskluzive nga Grupi Mediatik i Kinës"

Kjo është intervista e parë që Putin jep për një media të huaj pas marrjes së mandatit të tij të ri si dhe e para që pranon në Kremlin nga një media kineze. Në fillimin e intervistës, presidenti Putin përcolli urime për popullin kinez. Ai uroi lumturi dhe mirëqënie për çdo familje kineze.

Putini tha se Rusia i kushton shumë rëndësi marrëdhënieve miqësore, partnere dhe aleate. Si dy vende fqinje, Rusia dhe Kina krijuan një marrëdhënie unike në botën e sotme mbi bazën e përfitimit reciprok. Në vitin 2001, Rusia dhe Kina nënshkruan "Traktatin e fqinjësisë së mirë të miqësisë dhe të bashkëpunimit" që është bazë e marrëdhënieve dypalëshe.

"Cila ishte pika më e rendësishme në fjalimin e presidentit Xi Jinping në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të Kinës? Ngritja e nivelit të jetës së popullit. Mund të kemi shumë mënyra e metoda për të realizuar qëllimin, por qëllimi është i përbashkët. Në Rusi, përveç ngritjes së standardit të jetesës së banorëve, nuk ka qëllim të dytë. Prandaj po mendojmë si të ndërtojmë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës dhe si ta realizojmë këtë qëllim. Duhet të forcohet ndërtimi i ekonomisë me tipin e ri nëpërmjet risisë, ekonomisë digjitale, shoqërisë moderne harmonike etj. Prandaj kemi shumë pika të njëjta dhe besoj se me përpjekje të përbashkëta do të arrijmë rezultate të reja."

Viti 2018 shënon 5-vjetorin e nismës së propozuar nga Kina "Një brez, një rrugë". Në majin e vitit 2015, krerët e shtetit të Kinës dhe të Rusisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke nisur procesin e integrimit të nismës kineze me ndërtimin e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të propozuar nga pala ruse. Në tre vjetët e fundit, ky bashkëpunim ka patur rezultate frytdhënëse në fushat energjetike, të transportit, aeronautike etj.

Në intervistë, presidenti Putin vlerësoi lart nismën "Një brez, një rrugë" të paraqitur nga homologu kinez Xi Jinping dhe e cilësoi atë si një propozim të dobishëm, të rëndësishëm dhe me perspektivë. Ai theksoi se Rusia e përkrah këtë nismë dhe forcimi i integrimit të stretegjive të zhvillimit të dy vendeve mund të ndihmojë në shfrytëzimin e mundësive të bashkëpunimit dypalësh. Vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm tregtar kino-rus u rrit në afro 87 miliardë dollarë amerikanë, gjë që sipas mendimit të presidentit rus, duhet të ruhet dhe të vijojë rritjen.

Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) do të zhvillohet pas disa ditësh në qytetin e Qingdao-s në Kinën Lindore. Ky është samiti i parë pas zgjerimit të kësaj organizate. Lidhur me këtë, Putin tha se sot OBSh-ja është bërë një organizatë me ndikim global. Ai shprehu besimin e plotë për të ardhmen e organizatës dhe theksoi se vendet duhet të mundësojnë bashkëpunimin e gjithanshëm.

"OBSh-ja nu është një organizatë që kundërshton vendet e tjera, por një organizatë që garanton bashkëpunim të gjithanshëm midis vendeve anëtare dhe ofron kushte të domosdoshme për këto bashkëpunime, pavarësisht në cilat kontinente ndodhen. Bashkimi i fuqive pa dyshim do të shërbejë si faktor i rëndësishëm për zhvillimin tonë dhe do të ndikojë në situatën botërore. Besoj se ky do të jetë një faktor pozitiv".

Para pjesëmarrjes në Samitin e OBSh-së në Qingdao, presidenti Putin do të bëjë një vizitë zyrtare në Kinë, me ftesën e kryetarit të Shtetit të Kinës Xi Jinping. Qysh nga viti 2013 deri më sot, krerët e dy vendeve kanë pasur kontakte të ngushta dhe mbi 20 takime midis tyre kanë tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Gjatë intervistës, Putin foli në veçanti mbi hollësirat dhe përshtypjet e tij gjatë shkëmbimeve me mikun e vjetër Xi Jinping. Ai kujtoi se kryetari Xi është i vetmi lider i huaj me të cilin ka festuar ditëlindjen e tij. Ai kujtoi momentin kur së bashku pinë Vodka, shoqëruar me copa sallami. Për Putinin, Xi është një partner i përshtatshëm dhe mik i besueshëm.

(Më 4 korrik 2017, presidenti i Kinës, Xi Jinping u takua me homologun e tij Vladimir Putin në pallatin e Kremlinit, në Moskë. Pas takimit, Putin-i e nderoi presidentin Xi me medaljen më të lartë të Rusisë, medaljen "St. Andrew".)

"Atë ditë, pasi përfunduam punët tona, presidenti Xi më shoqëroi për të festuar ditëlindjen time. Ai ishte shumë miqësor dhe i sinqertë me të tjerët, njëkohësisht një partner shumë i besueshëm. Ashtu si shumë liderë shteti, ai përpiqet të japë maksimumin për të arritur rezultate në punën e tij për të mirën e popullit të vendit të tij. Ai është një analizues i shkëlqyer. Është një gjë shumë interesante të diskutosh me të për çështjet ndërkombëtare dhe ekonomike."

Gjatë Samitit të G20-s që u mbajt në vitin 2016 në Hangzhou, Putini i dhuroi Xi Jinping-ut një kuti me akullore ruse. Duke e pyetur për dhuratën e veçantë për këtë vizitë në Kinë, Putini iu përgjigjur duke qeshur, "Pa tjetër, por është sekret tanipërtani."

Gjatë intervistës, drejtori i Grupit të Mediave të Kinës Shen Haixiong tha se Radioja e Jashtme e Kinës po zhvillon një sondazh online përmes aplikacionit të saj të "lajmeve kryesore Kinë-Rusi "Kush është fans i Putinit?"

Brenda vetëm një jave, në sondazh morën pjesë mbi 10 milionë përdorues kinezë të internetit. Në emër të tyre, Shen-i i paraqiti shefit të Kremlinit shumë pyetje interesante, të cilave Putini iu përgjigj me kënaqësi.

Shen: Sipas mendimit tuaj, cili ekip mund ta fitojë këtë herë Kupën e Botës?

Putin: Është e vështirë ta parashikoj. Shumë ekipe kanë potencial të shpallen kampion. Në grupin e Amerikës Latine, ekipi i Argjentinës dhe ai i Brazilit janë shumë mirë. Siç e dimë, herën e kaluar Botërori u fitua nga ekipi gjerman, i cili luajti shumë mirë. Edhe skuadra spanjolle dhe disa ekipe të tjera kanë mundësi.

Shen: Cili është futbollisti juaj i preferuar?

Putin: Më pëlqen më shumë Lev Yashin, lojtari rus i ish-Bashkimit Sovjetik. Ndërsa nga futbollistët e huaj, më pëlqejnë Pelé dhe Maradona.

(Foto: Putin me Pelé dhe Maradona)

Shen: Me çfarë sportesh merreni tani? Zakonisht sa orë në ditë?

Putin: Merrem me lëvizje sportive për dy deri dy orë e gjysmë në ditë, zakonisht bëj palestër ose not. Nëse kam partner, do të ushtroj edhe xhudo. Ka raste kur luaj edhe hokej në akull.

Gjatë intervistës ekskluzive, Putini iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve perëndimore, situatën në Gadishullin Korean dhe pika të tjera të nxehta ndërkombëtare. Duke folur për sanksionet e vendeve perëndimore ndaj Rusisë, Putini tha se të gjitha kufizimet e paligjshme dhe politikat që dëmtojnë zhvillimin e ekonomisë botërore do të zhduken gradualisht. Ai shpreson se marrëdhëniet me vendet perëndimore do të normalizohen në një farë mënyre. Lidhur me situatën në Gadishullin Korean, ai tha se Rusia mban qëndrimin shumë të përafërt me Kinën dhe madje mund të thuhet se mban të njëjtin qëndrim me palën kineze, që do të thotë, realizimi i një Gadishulli Korean pa armë bërthamore dhe zhdukja e tensionit në rajon. (Zhang Zhuo/ Zhang Yan/ Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore