Rritet kërkesa e konsumatorëve kinezë për produkte importi

2018-05-31 20:43:27 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 进口---[jìn kǒu]---Import

Ditët e fundit, Ministria e Tregtisë e Kinës ka publikuar një raport analize mbi importin e mallrave të konsumit, i cili tregon se konsumatorët kinezë kanë kërkesë të madhe për produktet e importit. Mbi 30 % e tyre planifikojnë të shtojnë konsumin e produkteve të importit në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërkohë që kompanitë kineze janë të gatshme për shtimin e madh të importeve.

Sipas "Raportit statistikor për gjendjen e ofertës dhe të kërkesës të mallrave kryesore të konsumit", kërkesa e konsumatorëve kinezë për produkte të importuara është e lartë. Mbi 20 për qind e të anketuarve u shprehën se produktet e importit zënë mbi 30 % të mallrave të përgjithshme të konsumit të tyre, kurse 70 % e konsumatorëve thonë se zgjedhin artikuj kozmetikë importi për arsye të cilësisë.

Vitet e fundit, produktet e importuara me cilësi të lartë janë bërë shumë të parapëlqyera nga konsumatori kinez. Në zonën e produkteve të importit në një qendër tregtare të Pekinit, çdo ditë një numër i madh klientësh blejnë produkte të përdorimit të përditshëm dhe ushqim. Ata shprehen se cilësia e lartë është arsyeja kryesore që i tërheq ata drejt produkteve të huaja.

Raporti nga Ministria e Tregtisë e Kinës thekson se në gjashtë muajt e ardhshëm, mbi 30 % e konsumatorëve planifikojnë të shtojnë konsumin e mallrave të importuara. Produktet kozmetike kryesojnë listën e preferencave për importet, pasuar nga produktet për nënat e fëmijët, si edhe orët e syzet.

Kërkesa e madhe e konsumatorëve kinezë për produkte importi ka shtuar edhe gatishmërinë e kompanive kineze për të importuar më shumë produkte nga jashtë. Sipas raportit, 34 lloje produktesh importi janë më të pëlqyera në Kinë, duke përshirë verën, frutat, veshjet sportive, ushqimin për fëmijë, artikujt kozmetikë, orët, automjetet etj.

Në fakt, vitet e fundit Kina ka lëshuar gjatë gjithë kohës sinjale për rritjen e importeve, duke ulur tarifat për një numër të madh produktesh. Deri në janarin e sivjetshëm, Kina ka zbatuar tarifa zero për mbi 8 mijë lloje produktesh të importuara. Lidhur me këtë, drejtori i Qendrës së Studimeve Rajonale në Institutin e Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhang Jianping vuri në dukje se shtimi i importit jo vetëm përputhet me kërkesën e qytetarëve, por edhe mund të sjellë rritjen ekonomike: "Kina është bërë një vend me të ardhura të mesme, prandaj kërkesa e konsumit e qyterarëve është rritur vazhdimisht. Shtimi i importeve nga ana jonë ka si qëllim plotësimin e kërkesës në rritje të konsumatorëve, por, nga ana tjetër, do të jetë në favor të rritjes ekonomike dhe do të ndihmojë në rritjen e kërkesës së brendshme. Kjo është një forcë e re nxitëse." (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore