Kina dëshiron të forcojë bashkëpunimin në shkencë e teknologji me vendet e tjera

2018-05-29 17:01:37 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:科技---[kē jì]---Teknologji

Të hënën u mbajt në Pekin Konferenca e 19-të e Anëtarëve të Akademisë së Shkencave të Kinës. Shkëmbimet mes akademikëve kineze dhe atyre të huaj janë bërë një element i rëndësishëm i shkëmbimeve dhe bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të tjera të botës. Akademikët e huaj shprehen se nga hapja e mëtejshme e dyerve të Kinës për bashkëpunimin në fushën e shkencës dhe teknologjisë do të ketë përfitime për shumë palë e në çdo fushë.

Në konferencë, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kinës Bai Chunli u shpreh se vitet e fundit, duke rritur aftësinë dhe nivelin e krijimit të risive tekniko-shkencore, një numër më i madh akademikësh kinezë kanë marrë detyra të rëndësishme në organizata ndërkombëtare të shkencës dhe të teknologjisë, duke sjellë kështu forcimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve të Kinës me vendet e tjera të botës në fushën e teknologjisë.

"Sipas statistikave jo të plota, mbi 50 anëtarë të Akademisë së Shkencave të Kinës kanë marrë mbi 70 poste në organizata ndërkombëtare të shkencës dhe të teknologjisë, si kryetar, zv.kryetar, këshilltar etj. Ka edhe shumë anëtarë të Akademisë sonë që janë bërë anëtarë të akademive të vendeve në zhvillim. Ata kanë dhënë kontributin e tyre në organizatat ndërkombëtare, ndërkohë që kanë rritur ndikimin ndërkombëtar të Kinës dhe kanë forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimet mes Kinës dhe vendeve të tjera të botës në fushën e teknologjisë."

Tani, Akademia e Shkencave e Kinës kanë 797 anëtarë kinezë dhe 91 të huaj. Në konferencë, kryetari i Akademisë Bai Chunli u dha certifikata akademikëve të tanishëm, si edhe stema akademikëve të huaj të zgjedhur së fundmi. Ish-kryetari i Akademisë Kombëtare të Shkencave të Pakistanit Atta-ur Rahman është një ndër anëtarët e rinj të Akademisë kineze të Shkencave. Ai u shpreh: "Jam i nderuar që jam shkencëtari i parë nga vendet islamike që pranohet në Akademinë e Shkencave të Kinës. Jam i lumtur që jap kontributin tim për miqësinë mes Kinës dhe Pakistanit në fushën e shkencës dhe të teknologjisë. Unë shpresoj në zhvillimin e gjithanshëm dhe më të ngushtë të bashkëpunimit shkencor. Tani kam idenë për të themeluar një universitet të shkencës dhe të teknologjisë kineze në Pakistan, me qëllim zhvillimin e shkëmbimeve me profesorë të universiteteve të Kinës."

Në kushtet e përmirësimit të mjedisit për studime shkencore në Kinë dhe perspektivave të mira të zhvillimit, më shumë shkencëtarë të njohur të huaj kanë zgjedhur të bëhen anëtarë të akademive kineze. Një prej tyre, profesori Paul Nurse nga Britania, u shpreh se shkenca e teknologjia nuk njohin kufij kombëtarë dhe se nga bashkëpunimi më i hapur tekniko-shkencor fitojnë të gjitha palët. "Jam studiues në fushën e gjenetikës dhe të biologjisë qelizore. Kam vënë re që Kina ka arritur suksese të mëdha në të gjitha fushat dhe do të zhvillohet edhe më tepër. Shkenca është një veprimtari me një nivel të lartë ndërkombëtarizimi dhe ka hapur dyert e bashkëpunimit mes vendeve të ndryshme. Ajo është në të vërtetë një mjet diplomatik. Nëse vendet e ndryshme janë të hapura për bashkëpunim, nga një gjë e tillë do të fitojë shkenca dhe fusha e studimeve humanitare." (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore