Kompanitë kineze mbrojnë aktivisht sigurinë e të dhënave

2018-05-28 17:34:59 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:数据---[shù jù]---Të dhëna

Të premten e kaluar hyri zyrtarisht në fuqi "Rregullorja e mbrojtjes së të dhënave të përgjithshme", që vlerësohet si rregullorja "më e rreptë në histori" për menaxhimin e të dhënave në internet e BE-së. Kjo rregullore jo vetëm vendos ndëshkime më të ashpra, por edhe përfshin në sferën e saj kompanitë që ofrojnë produktet dhe shërbimet e tyre për përdoruesit e BE-së ose kanë ruajtur dhe përpunuar të dhënat e këtyre përdoruesve.

Kontrolli më i gjerë, klasifikimi më i hollësishëm dhe dënimet më të rrepta janë karakteristikat kryesore të "Rregullores së mbrojtjes së të dhënave të përgjithshme" të BE-së. Sipas rregullores, kompanitë që kanë shkelur rregullat, dënohen me një gjobë prej 10-20 milionë euro. Subjekt i rregullores së mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve të BE-së janë jo vetëm kompanitë brenda BE-së, por edhe kompanitë e huaja që janë futur në tregun e BE-së. Presidenti i Grupit të Sigurisë së Sipërmarrjes "360" të Kinës Qi Xiangdong shprehet:

"Disa dispozita të rregullores së mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve kanë si qëllim që kompanitë të shtojnë investimet për mbrojtjen e të dhënave. Rregullorja u kërkon kompanive të mos humbin të dhënat e përdoruesve dhe të mos dëmtojnë interesat e tyre. Ky nuk është një problem i vështirë nga ana teknike, por kompanitë duhet të zgjidhin disa probleme, si rritja e investimeve, përkrahja e përgjithshme nga sektori dhe numri i mjaftueshëm i personelit të sigurisë së internetit."

Menaxheri i përgjithshëm i departamentit të tregut të kompanisë së programeve kompjuterike "Guochuang", Jiang Yong, mendon se, duke zhvilluar në mënyrë të thellë sektorin e të dhënave të mëdha, rëndësia e sigurisë së të dhënave është rritur. Vitet e fundit kompania e tij ka bërë investime të mëdha për të mbrojtur sigurinë e të dhënave.

"Së pari, në drejtim të sigurisë teknike, ne kemi bërë kodimin teknik të të dhënave kryesore dhe personale. Prandaj, madje as personeli ynë teknik nuk mund të nxjerrë të dhëna. Së dyti, ne kemi kufizuar autorizimin e përdorimit të programeve dhe jo të gjitha programet mund të hapen drejtpërdrejt. Përveç këtyre, kemi mbajtur parasysh sigurinë teknike të ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave," u shpreh Jiang Yong-u.

Zv.drejtori i Qendrës së Studimit të Ligjeve të Internetit në Institutin e Komunikimit dhe të Informacionit të Kinës Fang Yu mendon se fazat e zhvillimit të ekonomisë digjitale të Kinës dhe të BE-së janë të ndryshme. Ai thekson se sigurimi i të dhënave dhe zhvillimi i sektorit janë njësoj të rëndësishme: "Gjendja në vende të ndryshme është e ndryshme. Kina ndodhet tani në fazën e zhvillimit të ekonomisë digjitale. Qeveria kineze i kushton rëndësi të ashtuquajturit krijim i 'Kinës digjitale'. Në këtë sfond, nga njëra anë ne duhet të mendojmë për përdorimin e përgjithshëm të të dhënave, nga ana tjetër, ne duhet t'i kushtojmë vëmendje mbrojtjes së të drejtave individuale. Tani BE-ja tregon vëmendje më të madhe për mbrojtjen e të drejtave individuale, kurse Kina duhet të mendojë edhe për zhvillimin e këtij sektori, për shkak se është vend në zhvillim." (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore