Kina realizon para kohe objektivat e "Konventës së shumëllojshmërisë biologjike"

2018-05-23 18:05:35 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:多样性---[duō yàng xìng]---Shumëllojshmëri

Sot është Dita e 25-të Botërore e Shumëllojshmërisë Biologjike. Kina është një nga vendet e para pjesëmarrëse në "Konventën për shumëllojshmërinë biologjike". Tani sipërfaqja e tokës së mbrojtur në Kinë arrin në 1.7 milionë kilometra katrorë, duke zënë 18 % të territorit të vendit. Kina ka realizuar kështu përpara kohe objektivat e vëna në "Konventën për shumëllojshmërinë biologjike".

Me shumëllojshmëri biologjike ose biodiversitet nënkuptohen të gjithë llojet e organizmave të gjallë që jetojnë në Tokë, si kafshët, bimët, mikroorganizmat, si edhe gjenet e tyre dhe ekosistemi ku ato jetojnë. Shumëllojshmëria biologjike është baza për mbijetesën e njerëzve. Zv.ministri i Ekologjisë dhe i Mjedisit Huang Runqiu u shpreh se qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe mbrojtjes së shumëllojshmërisë biologjike.

"Mbi 90 % e llojeve të ekosistemit natyror tokësor dhe 89 % e llojeve të kafshëve e të bimëve të egra janë ruajtur siç duhet në zonat e mbrojtura natyrore. Një numër i specieve së rralla po rigjallërohet. Numri i pandave, i tigrave të Verilindjes, i leopardëve të Verilindjes dhe i elefantëve aziatikë është rritur shumë. Numri i drerëve milu ishte pakësuar shumë, por nëpërmjet krijimit të zonave të mbrojtura natyrore, edhe numri i tyre është rritur shumë, duke u bërë një model i suksesshëm i mbrojtjes së shumëllojshmërisë biologjike."

Si një nga vendet e para pjesëmarrëse në "Konventën për shumëllojshmërinë biologjike", Kina e ka zbatuar aktivisht këtë konventë, duke u vlerësuar nga bashkësia ndërkombëtare. Sekretarja e përgjithshme e "Konventës për shumëllojshmërinë biologjike" Cristiana Pasca Palmer u shpreh se Kina i kushton rëndësi mbrojtjes së biodiversitetit dhe e sheh atë si një pjesë të rëndësishme për nxitjen e krijimit të të ashtuquajturit qytetërim ekologjik. Me një varg politikash e veprimesh të përbashkëta të organeve të ndryshme, mbrojtja e shumëllojshmërisë biologjike në Kinë ka arritur rezultatet e duhura.

Zv.ministri i Ekologjisë dhe i Mjedisit Huang Runqiu tha se mes mbrojtjes së shumëllojshmërisë biologjike dhe zhvillimit ka një kontradiktë të dukshme. Për këtë gjë Kina do të marrë masat që duhen. Do të nxitet ndërtimi i sistemit të zonave të mbrojtjes natyrore me parqet kombëtare në qendër, do të kontrollohet intensiteti i zhvillimit e i shfrytëzimit të tyre dhe do të forcohet përtëritja ekologjike. Gjithashtu do të ndërtohet një platformë informacioni e të dhënash dhe do të forcohet administrimi i mbrojtjes së shumëllojshmërisë biologjike.

Kina do të jetë organizatorja e Konferencës së 15-të të Palëve të "Konventës për shumëllojshmërinë biologjike" (COP15) në vitin 2020. Tani kanë nisur përgatitjet për zhvillimin e kësaj konference. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore