Kinë: Fillon Programi i 3-të Studimor për Drejtuesit Financiarë të Vendeve në Zhvillim

2018-05-22 17:18:28 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:经验---[jīng yàn]---Përvojë

Të hënën filloi në Shkollën e Financave Wudaokou të Universitetit Tsinghua (PBCSF Tsinghua) Programi i 3-të Studimor për Drejtuesit Financiarë të Vendeve në Zhvillim. 26 anëtarë nga 23 vende në zhvillim u mblodhën këtu duke filluar programin 7-ditor të studimit dhe të shkëmbimeve.

Programi i 3-të Studimor për Drejtuesit Financiarë të Vendeve në Zhvillim është organizuar nga PBCSF Tsinghua, Qendra e Bashkëpunimit Financiar Jug-Jug dhe Fondi i Arsimit Jug-Jug. Ai ka si objektiv që, në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të bashkëpunimit Jug-Jug, të ndërtohet një urë e shkëmbimeve në fushën financiare midis Kinës dhe vendeve të tjera të bashkëpunimit Jug-Jug dhe midis Kinës e vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë". Drejtoresha e PBCSF Tsinghua Wu Xiaoling tha në ceremoninë e hapjes se qëllimi i këtij programi është për t'iu përgjigjur nismës "Një brez, një rrugë" dhe për të përkrahur bashkëpunimin Jug-Jug. Programi synon gjithashtu të nxitë përhapjen e edukimit dhe të njohurive financiare në vendet në zhvillim dhe të forcojë shkëmbimet e Kinës me vendet e bashkëpunimit Jug-Jug dhe ndarjen e "përvojave të Kinës".

"Sivjet është 40-vjetori i Reformës dhe i Hapjes së Kinës. Përvojat më të rëndësishme të këtij procesi janë hapja e dyerve të vendit dhe hyrja në globalizmin ekonomik. Sidoqoftë, përvoja e Kinës nuk është vetëm hapja e dyerve të vendit, por edhe zhvillimi i reformës sipas situatës së brendshme. Reforma duhet të përputhet edhe me globalizmin dhe të ndjekë rregullat ndërkombëtare, vetëm kështu do të sjellë përfitime. Dëshirojmë të ndajmë përvojat e Kinës dhe shpresojmë se edhe pjesëmarrësit në program do të ndajnë përvojat e vendeve të tyre."

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Pushtetit Vendor të Ugandës Benjamin Kumumanya mbajti në emër të pjesëmarrësve në program një fjalim, ku shprehu shpresën se, me këtë rast, do të marrin nga Kina përvojat e zhvillimit politik e ekonomik e njohuri dhe do t'i shfrytëzojnë këto përvoja e njohuri në zhvillimin e vendeve të tyre:

"Uganda dhe vendet e tjera dëshirojnë të nxitin zhvillimin e politikave dhe të forcojnë sundimin e ligjit dhe zhvillimin e fshatit. Shpresojmë ta shfrytëzojmë këtë rast për të studiuar dhe për të marrë njohuri. Besojmë se njohuritë e fituara nga studimi mund të përdoren në praktikë dhe vendet tona mund të ndryshojnë për mirë."

Programi Studimor për Drejtuesit Financiarë të Vendeve në Zhvillim është organizuar me sukses dy herë më parë. Këtë herë në të marrin pjesë 50 funksionarë të nivelit të lartë dhe përfaqësues të organizatave nga 39 vende në zhvillim. Në shtatë ditët e ardhshme, përveç studimit në shkollë, ata do të vizitojnë edhe Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, Fondin e Rrugës së Mandafshit, Bankën e Zhvillimit të Kinës, Bankën Exim të Kinës, Bankën Industriale dhe Tregtare e Kinës etj., për të njohur politikat financiare të nismës "Një brez, një rrugë". (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore