Kinë-Europë, lidhjet tregtare do të kenë perspektivë më të ndritur

2018-05-18 17:23:05 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:美好---[měi hǎo]---i/e ndritur

Reforma dhe hapja e Kinës ka shënuar fillimin e një udhëtimi të ri, tha të enjten kreu i misionit kinez në Bashkimin Europian, Zhang Ming. Gjatë një veprimtarie në Bruksel, ambasadori theksoi se bashkëpunimi tregtar Kinë-Europë ndeshet me shanse të reja, ndërsa shtoi se të dy palët do të kenë një perspektivë më të ndritur ekonomike.

Veprimtaria e zhvilluar në Bruksel u drejtua nga kryetari i Këshillit Tregtar Belgjikë-Kinë, Bernard De Wit. Ambasadori Zhang Ming tregoi në fjalimin e tij arritjet e Kinës gjatë 40 vjetëve të reformës dhe të hapjes, si dhe masat kryesore të qeverisë kineze në këtë drejtim.

"Vendosmëria e Kinës për zgjerimin e hapjes është e patundur, drejtimi është i qartë dhe intensiteti i paprecedentë, por bazuar në nevojat dhe ritmin e saj të zhvillimit," tha Zhang.

Sivjet shënohet 15-vjetori i vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik mes dy palëve dhe 20 vjetori i formimit të sistemit të takimit të liderëve të Kinës dhe BE-së.

Ambasadori Zhang tha se tani marrëdhëniet Kinë-BE, janë futur në një rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimi ekonomik është thelluar vazhdimisht. Për 14 vjetë me radhë, BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kinës dhe Kina partneri i dytë më i madh i BE-së. "Bashkëpunimi ekonomik Kinë-Europë ka një perspektivë të gjerë," shtoi diplomati.

"Për shembull investimet e BE-së në Kinë janë vetëm 4% e totalit të investimeve të huaja në vend, ndërsa investimet e Kinës në BE vetëm 2% e investimeve të huaja në bllok. Kjo gjendje nuk përshtatet me vëllimin ekonomik të të dy palëve dhe bashkëpunimi dypalësh në këtë drejtim ka ende potencial të madh të zgjerohet. Për këtë arsye, mbështetja është më e favorshme se mbikëqyrja," tha Zhang Ming.

Ai shton se në epokën e re, Kina dhe Europa duhet të kapin shansin dhe të nxisin më shpejt zhvillimin ekonomik.

"Si anëtarë të rëndësishëm të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe partnerë gjithëpërfshirës strategjikë, Kina dhe BE-ja ndajnë qëndrime të njëjta për tregtinë e lirë dhe qeverisjen ekonomike globale. Ne kemi përgjegjësinë që të ruajmë së bashku sistemin shumëpalësh tregtar bazuar në rregulla, të kundërshtojmë veprimet e njëanshme dhe proteksionizmin tregtar, duke e futur ekonominë botërore në orbitën e duhur," thotë Zhang Ming.

Ish-presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy që mori pjesë në këtë aktivitet, foli për gjendjen e tanishme të BE-së dhe marrëdhëniet me Kinën. Ai tha se marrëdhëniet BE-Kinë po bëhen gjithnjë e më të pjekura. Të dyja palët, tha ai, kanë pika të përbashkëta, mosmarrëveshje dhe gjithashtu ndeshen me sfida të ngjashme.

"Krijimi i marrëdhënieve të forta mes individëve dhe vendeve duhet të bazohet në respektin dhe besimin e ndërsjellë. Pa respekt dhe besim është e pamundur të vendosen marrëdhënie. Marrëdhëniet e forta mes BE-së dhe Kinës bazohen në këto dy vlera të rëndësishme: respekti dhe besimi reciprok. Le të vazhdojmë ta ruajmë këtë gjendje," tha Herman Van Rompuy.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore