Ambasador kinez në BE shprehu dëshirën e bashkëpunimit

2018-04-19 18:17:10 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:使团---[shǐ tuán]---Mision

Ambasadori Zhang Ming, kreu i Misionit të Kinës në Bashkimin Evropian, shkoi të mërkurën në Strasburg të Francës për të zhvilluar takime dhe shkëmbime me delegacionin për marrëdhëniet me Kinën të Parlamentit Evropian. Ambasadori kinez theksoi gatishmërinë e Kinës për të ndarë me vendet e tjera të botës rastet e sjella nga zgjerimi i hapjes, duke u shprehur se Kina kundërshton unilateralizmin dhe proteksionizmin tregtar. Zhang shtoi se Kina nuk do të pranojë veprimet që shkelin rregullat e OBT-së dhe shkaktojnë në mënyrë të pamatur nisjen e luftërave tregtare. Nëse përballet me kërcënim dhe frikësim, Kina nuk do t'i mbajë të hapura dyert e saj në mënyrë të pakontrolluar ose joparimore.

Në takimin me deputetët evropiane të delegacionit për marrëdhëniet me Kinën të PE-së, ambasadori Zhang Ming i njohu me zhvillimet e Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës dhe dy sesionet e Kinës që u mbyllën në Pekin në muajin e kaluar. Ambasadori Zhang shtjelloi politikat e Reformës dhe Hapjes së Kinës në epokën e re, duke dhënë opinionin e tij se si mund të shfrytëzoheshin këto raste për të zhvilluar marrëdhëniet kino-evropiane.

"Ky vit shënon 40-vjetorin e zbatimit të Reformës dhe Hapjes. Pavarësisht ndryshimeve në botë, vendosmëria e Kinës lidhur me Reformën dhe Hapjen nuk do të lëkundet. Në rrugën e zbatimit të kësaj politike, Kina do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me vendet e botës dhe të ndajë rastet e zhvillimit. Kina do t'i përkushtohet formimit të marrëdhënieve të reja ndërkombëtare dhe formimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Kina do të jetë krijuese e paqes botërore, kontribuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar," tha ambasadori Zhang Ming.

Kreu i Misionit të Kinës në Bashkimin Evropian theksoi gjithashtu që sivjet është edhe 15-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Evropës. Paqja, zhvillimi, bashkëpunimi dhe përfitimet e ndërsjella janë prirja e zhvillimit historik, kështu që Kina dhe Evropa duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të thellojnë me veprime konkrete marrëdhëniet e partneritetit ndërmjet tyre për paqen, rritjen, reformën dhe qytetërimin, për një të ardhme më të mirë bashkëpunimi.

Në takim Zhang bëri edhe tre sugjerime. Së pari, Kina dhe Evropa duhet të krijojnë dhe të konsolidojnë besimin e ndërsjellë strategjik. Kina do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit evropian dhe një Bashkim Evropian të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të përparuar, i cili do të luajë një rol më të madhe në çështjet ndërkombëtare. Së dyti, Kina dhe Evropa duhet të krijojnë një strukturë më të hapur bashkëpunimi. Kina shpreson që Evropa do të shfrytëzojë rastet e sjella nga Reforma dhe Hapja e Kinës, do të zgjerojë bashkëpunimin në fushat përkatëse dhe do të përshpejtojë hapat e ndërthurjes së nismës "Një brez, një rrugë" me strategjinë zhvillimore të Evropës, për të rritur përfitimet nga forcimi i bashkëpunimit. Së treti, Kina dhe Evropa duhet të mbrojnë qëndrueshmërinë e sistemit shumëpalësh. Kina dhe Evropa janë përfituese dhe mbrojtëse të tregtisë së lirë, prandaj duhet të ruajnë rendin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar mbi rregullat. (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore