President i Dhomës së Tregtisë Kinë-Itali: Marrëdhëniet tregtare kino-amerikane, do të përmirësohen

2018-04-03 16:45:30 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:贸易---[mào yì]---Tregti

Presidenti i Dhomës së Tregtisë Kinë-Itali, Davide Cucino, thotë se mosmarrëveshjet tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të zgjidhen dhe situata e tensionuar mes dy vendeve do të shërbejë si një hapësirë për zgjerimin e marrëdhënieve tregtare mes Kinës dhe Italisë e madje Europës.

Presidenti i ShBA-së Donald Trump ka nënshkruar memorandum presidencial, i cili vendos imponimin e tarifave të reja mbi produktet kineze që hyjnë në tregun amerikan, si dhe kufizon investimet kineze në ShBA. Vendimi i presidentit erdhi pas daljes së rezultateve të hetimit që u kryen sipas nenit nr. 301 të Ligjit Tregtar amerikan.

Kur fjala bie për mosmarrëveshjet tregtare kino-amerikane, zoti Davide Cucino thotë se Kina dhe ShBA-ja, nuk kanë nevojë të nisin luftë tregtare që dëmton të dyja palët, ndërsa parashikon se marrëdhëniet e tilla do të përmirësohen:

"Së pari, mendoj se mjedisi tregtar mes Kinës dhe ShBA-së duhet përmirësuar, për arsye se për të dy vendet nuk është e nevojshme të përfshihen në një luftë tregtare. Nga njëra anë, produktet kineze do të përballen me sanksionet e rënda, por nga ana tjetër, ShBA-ja nuk dëshiron të shikojë pjesë mallrash të saj të humbin tregun e tyre në Kinë. Një pjesë e tarifave mund të prekin edhe kompanitë amerikane të blera nga Kina. Prandaj, në fund të fundit, jam i bindur se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve do të përmirësohen."

Në cilësinë e presidentit të Dhomës së Tregtisë Kinë-Itali, Davide Cucino shtoi se tregtia kino-italiane ka treguar prirjen pozitive të zhvillimit, ndërsa nënvizon se në kontekstin e politikave proteksioniste që po ndiqen nga ShBA-ja, Kina dhe Italia mund të zgjerojnë tregtinë dypalëshe:

"Fërkimet tregtare midis Kinës dhe ShBA-së mund të jenë në favor të zhvillimit të mëtejshëm të tregtisë mes Kinës, Italisë dhe Europës. Ta shikojmë këtë çështje nga një këndvështrim i përgjithshëm, Kina dhe Italia kanë korrur fryte thelbësore në fushën tregtare dhe tarifat nuk janë ndonjë element i drejtpërdrejtë që e kufizon tregtinë dypalëshe. Prirja e zhvillimit të tregtisë dypalëshe është pozitive."

Në lidhje me tregtinë mes Kinës dhe Europës, z. Cucino thotë se në një kohë kur situata tregtare kino-amerikane është tensionuar, në këto rrethana, Europa duhet të nisë sa më parë diskutimet me palën kineze për nënshkrimin e "Traktatit Dypalësh të Investimeve Kinë-Europë", për të përforcuar investimet reciproke.

"Tregtia midis Kinës dhe Europa ka treguar konkurrueshmëri në disa fusha. Vëllimi i përgjithshëm i ekonomik i të gjitha vendeve europiane renditet në vendin e dytë në nivel global. E tërë Europa ka një volum të madh tregtar me Kinën. Jam i mendimit që në këtë situatë, Bashkimi Europian duhet ta shfrytëzojë rastin të nënshkruajë Traktatin Dypalësh të Investimeve. Nëse nuk nënshkruhet kjo marrëveshje, nuk do të ketë rritje të madhe e thelbësore të investimeve reciproke. Por në rast të nënshkrimit të traktatit, edhe Kina edhe Evropa do të përfitojnë në mënyrë të konsiderueshme." (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore