Kina lëshoi me sukses edhe dy satelitë për sistemin "Beidou"

2018-03-30 17:54:57 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 卫星---[wèi xīng]---Satelit

Kina lëshoi me sukses të premten dy satelitë me një raketë mbartëse. Këto mjete kozmike janë emërtuar si sateliti i 31-të dhe i 32-të të sistemit të pozicionimit "Beidou", i cili pritet t'u shërbejë vendeve e rajoneve të nismës "Një Brezi Një Rrugë" në fund të vitit 2018.

Të premten herët në mëngjes, u lëshua nga Qendra e Satelitëve Xichang në Kinën Perëndimore raketa mbartëse "Marshimi i Madh 3", me dy satelitët e pozicionimit.

Këta dy satelitë pasi hynë në orbitën e përcaktuar iu bashkuan grupit "Beidou-3" dhe do të funksionojnë bashkërisht me gjashtë satelitët e tjerë të lëshuar më parë.

Ora atomike është ora më e saktë në botë dhe njëkohësisht një nga aparatet kyçe për pozicionimin dhe matjen e shpejtësisë nga satelitët. Ndryshe nga ora atomike e rubidiumit, e cila është vendosur në satelitët e mëparshëm të grupit "Beidou-3", kësaj here satelitët kanë orë atomike hidrogjeni.

Përgjegjësi i ndërtimit të kësaj ore atomike Li Jing prezanton:

"Në krahasim me orën e rubidiumit, ora e hidrogjenit është më e qëndrueshme dhe më e saktë, që do të jetë në favor të funksionimit të satelitëve në kozmos dhe në mirëmbajtjen e sistemit 'Beidou'. Në sistemin amerikan të pozicionimit 'GPS' përdoren ora ceziumi dhe ora rubidiumi. Tani orët në sistemin tonë 'Beidou' janë në të njëjtin nivel teknologjik në krahasim me sistemin 'GPS'. Më e rëndësishmja është se të gjitha pjesët e kësaj ore hidrogjeni prodhohen nga vetë Kina."

Kina planifikon të lëshojë gjithsej 18 satelitë për sistemin "Beidou-3" gjatë vitit 2018. Ky kalendar shumë i ngjeshur i lëshimit ka për qëllim që deri në fund të këtij viti, sistemi "Beidou" të mund t'u shërbejë vendeve e rajoneve të përfshira në nisën "Një Brezi e Një Rrugë".

Një nga përgjegjësit e grupit satelitor "Beidou-3", Chen Lin, thekson përparimet e dukshme të funksionimit të sistemit.

"Performanca e përgjithshme e grupit satelitor 'Beidou-3' përputhet plotësisht me parashikimet tona. Gjithashtu disa teknologji të reja janë përshtatur sipas parashikimet. Mund të themi se do të ofrojmë një sistem të përdorshëm, të sigurt dhe të përparuar. Për shembull, performanca e orës i ka përmbushur të gjitha parashikimet tona. Gjatë procesit të grupimit të satelitëve, nuk e kishim menduar se kombinimi do të ishte aq i mbarë." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore