BE-ja dhe Britania arrijnë marrëveshje mbi periudhën kalimtare të "Brexit"-it

2018-03-20 15:58:39 CRI Komenti juaj Printoni

Fjalë kyçe: 脱欧---[tuō ōu]---Brexit

Të hënën BE-ja dhe Britania arritën një marrëveshje mbi problemin e periudhës kalimtare të "Brexit"-it. Të dyja palët u shprehën se ky është një hap "vendimtar". Të dyja palët kanë rënë dakord po ashtu edhe mbi shumë pika të tjera të projektit të marrëveshjes së shkëputjes së Britanisë nga BE-ja, por ende do të zhvillohen bisedime mbi kufirin me Irlandën dhe çështje të tjera.

Përmbajtja kryesore e marrëveshjes përfshin: periudha kalimtare do të fillojë nga 29 marsi i vitit 2019 deri në 31 dhjetor të vitit 2020, duke qenë në këtë mënyrë një periudhë më e shkurtër se ajo e kërkuar nga Britania prej dy vjetësh. Gjatë periudhës kalimtare, Britania do të vazhdojë të qëndrojë brenda Bashkimit Doganor të BE-së dhe tregut të vetëm europian. Britania duhet të pranojë juridiksionin e ligjeve të BE-së, por nuk mund të marrë pjesë në vendimmarrjen e brendshme të Unionit. Lidhur me problemin e të drejtave të qytetarëve, negociatori i BE-së në bisedimet për "Brexit"-in Michel Barnier tha: "Ne kemi rënë dakord që qytetarët britanikë dhe qytetarët e 27 vendeve që vijnë brenda periudhës kalimtare do të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe garanci si ata që kanë kanë ardhur para 'Brexit'-it."

Ndërkohë, mbi nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare mes Britanisë dhe vendeve të tjera brenda periudhës kalimtare, ministri i Britanisë për "Brexit"-in David Davis tha se gjatë periudhës kalimtare, Britania mund të nënshkruajë marrëveshje tregtare me partnerë të tjerë tregtarë.

"Periudha kalimtare do të krijojë platformën e marrëdhënieve të ardhshme mes Britanisë dhe BE-së. Siç ka thënë Michel Barnier, Britania mund të nënshkruajë marrëveshje me miq të vjetër dhe aleatë të rinj në botë, dhe mund të miratojë marrëveshje të reja tregtare. Kjo është hera e parë në 40 vjet që Britania mund ta bëjë një gjë të tillë. Këto marrëveshje do të hyjnë në fuqi pas përfundimit të periudhës kalimtare."

Sipas Davis-it, problemet e të drejtave të qytetarëve dhe të pagesës së "faturës së ndarjes" nga Britania BE-së, janë zgjidhur. Por mbetet ende një çështje e vështirë, ai i kufirit me Irlandën.

Ndonëse ekzistojnë dallime, Davis u shpreh optimist për të ardhmen e bisedimeve të "Brexit"-it. Ai tha se rezultati i bisedimeve tregon se arritja e një marrëveshjeje është afër. Edhe Barnier është i mendimit se të dyja palët kanë arritur marrëveshje mbi pjesën më të madhe të përmbajtjes së bisedimeve, gjë që do të lehtësojë shkëputjen e Britanisë nga BE-ja. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore