Presidenti kinez Xi Jinping thekson rëndësinë e mjedisit të pastër politik

2018-03-12 16:10:40 CRI Komenti juaj Printoni


Fjala kyçe:政治生态---[zhèng zhì shēng tài]---Mjedis politik

Presidenti i Kinës Xi Jinping mori pjesë të shtunën në diskutimet e delegacionit të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare Popullore nga qyteti Chongqing, ku theksoi se krijimi i një mjedisi të pastër politik është një garanci e rëndësishme për realizimin e objektivave të reformës dhe të zhvillimit.

Në takim, tetë deputetë të AKP-së nga Chongqing-u shprehën mendimet mbi nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë, rolin e Asamblesë Kombëtare Popullore në fushën e sundimit të ligjit, forcimin e mbrojtjes ekologjike në lumin Jance, forcimin e organizatave-bazë të Partisë etj.

Lidhur me situatën e shkeljes së rregullave dhe të ligjit nga drejtuesit kryesorë të pushtetit vendor në Chongqing vitet e fundit, Xi Jinping vuri në dukje se mjedisi politik është i njëjtë me mjedisin natyror dhe, nëse nuk i kushtohet rëndësi, edhe ky mjedis mund të ndotet. Nëse ndodhin probleme, do të paguhet një çmim i madh, vuri në dukje ai.

"Krijimi i një mjedisi të pastër politik është një kërkesë politike për ruajtjen e autoritetit të Komitetit Qendror i Partisë, si dhe një kërkesë për zbatimin e rregullave dhe forcimin e administrimit të rreptë të partisë. Ai është garanci për përmirësimin e atmosferës partiake e politike dhe për realizimin e objektivave të reformës dhe të zhvillimit. Duhet të nxitim kuadrot e niveleve të ndryshme të zbatojnë përgjegjësitë e drejtimit e të të shërbyerit si model, duke luajtur rol udhëheqës," u shpreh presidenti Xi.

Kreu i shtetit kinez theksoi gjithashtu se duhet të zbatohet sundimi sipas ligjit dhe të kundërshtohet qeverisja sipas vullnetit individual, duhet të respektohet kushtetuta e ligjet dhe të veprohet brenda sferës së tyre, si edhe të ushtrohen kompetencat e të kryhen detyrat në përputhje me autoritetin statutor, rregullat dhe procedurat. Ai theksoi se duhet t'u kushtohet rëndësi edhe vlerave morale, duke thënë se forca e ligjit duhet të jetë e lidhur ngushtë me moralin e me vetëdisiplinën dhe se pushteti duhet ushtruar për të mirën e popullit. E gjithë shoqëria duhet orientuar për të kultivuar dhe zbatuar konceptin e vlerave themelore socialiste dhe për të krijuar një frymë të shëndoshë morale.

Xi Jinping tha se drejtuesit duhet t'i kushtojnë rëndësi asaj që ai e quajti politikë e moralshme:

"Politikë e moralshme do të thotë orientimi për zhvillimin moral të mbarë shoqërisë. Ne duhet të farkëtojmë bindje e ideale dhe të kemi një qëndrim të prerë përballë të gjitha formave të joshjes. Duhet të forcojmë idenë që t'i shërbejmë me gjithë zemër popullit dhe të zbatojmë konceptin e mbrojtjes së interesave të popullit, duke u angazhuar që dëshira e popullit për një jetë më të mirë të jetë qëllimi ynë. Ne duhet të jemi rreptësisht të përmbajtur në sjelljen dhe veprimet tona. Të gjithë anëtarët dhe kuadrot e Partisë duhet ta përdorin pushtetin e dhënë nga populli për të mirën e popullit. " (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore