Mbyllet Olimpiada e Pyeongchang-ut, Pekini uron mirëseardhjen në Olimpiadën 2022

2018-02-26 15:54:33 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:中国---[zhōng guó]---Kinë

Në Pyeongchang të Koresë së Jugut të dielën u mbyll Olimpiada e 23-të Dimërore. Në ceremoninë e mbylljes, Kina, vendi organizator i ardhshëm i këtij eventi të madh sportiv, dha një shfaqje artistike prej tetë minutash. Nëpërmjet një videomesazhi, presidenti Xi Jinping u shprehu mirëseardhjen miqve ndërkombëtarë në Olimpiadën Dimërore të vitit 2022 në Pekin.

Në ceremoninë e mbylljes të së dielës, mbizotëronin performancat lidhur me shpresat e njerëzve për të ardhmen. Shfaqja artistike e Pekinit, qyteti i ardhshëm organizator, e çoi në kulm atmosferën në stadium. 22 patinatorë të rinj kinezë, nën drejtimin e dy "pandave kapitene" të interpretuar nga dy të rinj, dhanë një shfaqje mbresëlënëse së bashku me robotë të teknologjisë së lartë. Përmbajtja e shfaqjes përqendrohej te pamjet moderne dhe arritjet teknologjike të Kinës, si hekurudhat me shpejtësi të lartë, pagesat me celular, biçikletat me qira dhe tregtian në internet. Ideja e "pandave kapitene" ka lindur nga shfaqja me kukulla e provincës Sichuan, që është përfshirë si trashëgimi kulturore jomateriale kombëtare e Kinës.

Pranë fundit të shfaqjes tetëminutëshe, "panda kapitene" u shndërruar në "panda postiere", duke mbledhur ftesat e banorëve nga e gjithë Kina. Ndërkohë në fund të shfaqjes, presidenti i Kinës Xi Jinping, në emër edhe të popullit kinez, dërgoi një ftesë të ngrohtë në ekranin e madh për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin.

"Unë, së bashku me qindra milionë banorë të Kinës, mirëpresim miqtë nga mbarë bota. Mirë se të vini në Pekin në vitin 2022. Mirë se të vini miqtë tanë!", tha kreu i shtetit i Kinës në videomesazhin e tij.

Para shfaqjes artistike, kryebashkiaku i Pekinit dhe kryetari ekzekutiv i Komitetit Organizator të Olimpiadës Dimërore të Pekinit, z. Chen Jining, mori nga kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach flamurin olimpik me pesë rrathë. Pas shfaqjes së Pekinit, z. Bach shpalli mbylljen e Olimpiadës së Pyeongchang-ut dhe zjarri olimpik u fik, duke shpallur hyrjen e Olimpiadës Dimërore në "epokën e Pekinit".

Në ceremoninë e mbylljes, ishte e pranishme zv.kryeministrja kineze, znj. Liu Yandong, si e dërguar e posaçme e presidentit Xi Jinping.

Në Olimpiadën e Pyeongchang-ut, Norvegjia dhe Gjermania fituan secila nga 14 medalje të arta, duke zënë vendin e parë. Ndërkohë, Norvegjia, me gjithsej 39 medalje, ishte fituesja e madhe, duke thyer rekordin e medaljeve në Lojërat Olimpike Dimërore. Koreja e Jugut, vendi organizator, me 17 medalje, zuri vendin e gjashtë, vetëm pas pesë fuqive botërore të sporteve dimërore nga Europa Veriore dhe Amerika Veriore. Ekipi kinez, me një medalje të artë, gjashtë të argjendta dhe dy bronzi, u radhit në vendin e 14-të.

Olimpiada e 24-t Dimërore do të zhvillohet në vitin 2022 në kryeqytetin kinez Pekin, ndërsa qytet bashkorganizator do të jetë Zhangjiakou.

Mrekulli
Lajmet Kryesore