Tregu kinez i filmave forcohet gjatë Festës së Pranverës

2018-02-21 12:30:46 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 电影--[diàn yǐng]--film

Gjatë Festës së Pranverës ka pasur një numër të lartë shikuesish në kinematë e mbarë Kinës. Sipas statistikave të para të kompanisë Cateye, nga 16 shkurti, dita e parë e Vitit të Ri Hënor, e deri në orën 15:30 të 20 shkurtit, shitja e biletave të filmave kinezë gjeneroi mbi 4.6 miliardë juanë të ardhura, duke vendosur një rekord të ri kombëtar për këtë periudhë.

Krahas kësaj, vetëm në ditën e parë të Vitit të Ri, shitja e biletave gjeneroi 1.3 miliardë juanë të ardhura, duke thyer kështu një rekord botëror.

Gjatë Festës së Pranverës, janë shfaqur gjithsej 7 filma të rinj, duke përfshirë komedi, aksion, krim dhe filma vizatimorë. Një menaxher kinemaje thotë se filmat kanë tema të ndryshme e përmbajtje mjaft të pasur.

"Këtë vit, mund të them se kemi pasur një periudhë mjaft të ngarkuar në krahasim me vitet e fundit. Kryesisht janë filma komedi, por edhe të tjerë. Efektet vizuale, temat ushtarake dhe filmat vizatimorë kanë ofruar larmi për familjet gjatë kësaj feste," thotë ai.

Filmi "Operacioni në Detin e Kuq" i vendos ngjarjet në Jemenin e përfshirë nga lufta civile. Misioni është evakuimi i shtetasve kinezë nga zona e luftës. Ky film me buxhet të madh ka marrë vlerësime të shumta nga publiku. Në platformën douban.com, ky film klasifikohet me 8.5 pikë, duke marrë vlerësimin më të lartë në pesë vjet gjatë Festës së Pranverës.

Regjisori i filmit Dante Lam theksoi nevojën për prodhimin e filmave cilësorë.

"Unë jam një regjisor dhe njëherësh shikues. Publiku ka nevojë tani për filma cilësore," thotë Lam.

Filmi "Detektivi i Chinatown 2" ka vazhduar traditën e ndërthurjes së komedisë me krimin e duke e ndryshuar skenën nga Tajlanda në Nju Jork. Të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave kaluan mbi 1.4 miliardë juanë dhe me gjendjen e tanishme, ky film mund të bëhet surpriza e festës, duke u renditur i pari për javën e pushimeve.

Regjisori i filmit, Chen Sicheng u shpreh që shitja e biletave është vetëm një pjesë. Por ajo sipas tij, kjo tregon se filmi është pranuar nga publiku.

Tregu i filmave gjatë Festës së Pranverës shfaqi potencialin gjigant të konsumit kulturor të Kinës. Analistët thonë se ndjekja e filmave është bërë tani një aktivitet kryesor dhe zakon i ri gjatë Festës së Pranverës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore