Kinë, kremtohet Festa e Pranverës

2018-02-16 11:35:30 CRI Komenti juaj Printoni

Fjalë kyçe: 节日--[jié rì]--festë

Festa e Pranverës është dita më e rëndësishme tradicionale në Kinë. Në këtë festë, kinezët pushojnë dhe e festojnë atë në mënyra të ndryshme. Atmosfera festive ndihet në mbarë Kinën.

Në këtë festë tradicionale, njerëzit bëjnë shumë pazar për të kaluar një festë të lumtur. Në Pekin, qytetari Gao bleu shumë ushqime, duke treguar që atmosfera më e madhe festive ndodhet në tregjet ku tregtohen produkte me rastin e kësaj feste.

"Këto dy ditë, kam blerë shumë produkte. Gjatë festës do të mblidhemi miq e të afërm nën një atmosferë të ngrohtë," thotë Gao.

Për të kremtuar këtë festë, në krahinat e ndryshme të Kinës, janë organizuar aktivitete të shumëllojshme. Në Nankin të Kinës Lindore, shfaqja e fenerëve ka një histori të gjatë prej mbi 1700 vjetësh. Kjo është një nga shfaqjet më të mëdha e më popullore të Kinës.

70-vjeçari Lin Shougang është adhuruesi i kësaj shfaqeje dhe çdo vit në Festën e Pranverës, ai shkon atje së bashku me aparatin fotografik.

"Më pëlqen të shkrep foto, të cilat i kam koleksionuar çdo vit. I vendos ato në internet, duke bërë videoklipe dhe i shoh kur kam kohë. Kam mjaft foto edhe në aplikacionin Wechat, të cilat janë vlerësuar e pëlqyer shumë nga miqtë e mi," thotë Lin Shougang.

Në Festën e Pranverës, "soditja e luleve" është aktiviteti kryesor në Kinën Jugore. Këtë vit, në provincën Guangdong janë organizuar aktivitetet e shumëllojshme me karakteristika lokale, çka ka shtuar atmosferën festive.

Qyteti Guangzhou ka një famë mbi 1700-vjeçare si qyteti i luleve. Shfaqja e luleve për pritjen e pranverës është bërë si një pamje simbol e mbarë Kinës. Sivjet në Guangdong është organizuar aktiviteti me temën "Kalimi i Vitit të Ri në Guangzhou dhe soditja e luleve në qytetin e luleve", çka ka tërhequr mjaft njerëz.

"Unë dhe familja ime kemi ardhur shumë herët në mëngjes. Shohim lulet, blejmë disa të bukura dhe shpresojmë të kemi një vit të ri të mbarë," thotë një qytetar.

Në Festën e Pranverës, shumë njerëz vizitojnë tempujt për të bërë bërë lutje për një vit sa më të mbarë. Sivjet në Luoyang të Kinës Qendrore, u zhvillua një panair i madh ku u shfaqën shumë aktivitete e lojëra tradicionale kineze.

Qytetari nga Luoyang, Zoti Shi u shpreh: "Kemi sjellë fëmijët këtu me rastin e festës për t'u argëtuar me lojërat tradicionale të paraardhësve tanë. Kjo është një ndjenjë shumë e ngrohtë për mua dhe shoh që fëmijët po kënaqen me këto aktivitete të panjohura më parë nga ta."

Me format e ndryshme të festimit, kinezët po kalojnë Vitin e tyre të Ri të rrethuar me lumturi, harmoni dhe bashkim familjar, çka është dhe shpirti i kësaj feste tradicionale. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore