Kinë: Plan trevjeçar për kontrollin e ndotjes së ajrit, zero tolerancë mashtrimit me të dhënat

2018-02-01 17:32:27 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:环保---[huán bǎo]---Mbrojtje e mjedisit

Qeveria kineze njoftoi se "Plani i Parandalimit të Ndotjes së Ajrit" i ka arritur plotësisht synimet e tij. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Liu Youbin, tha të mërkurën se me rajonet dhe sektorët e ndryshëm, do të formulohet dhe zbatohet një tjetër plan trevjeçar për të fituar "luftën e mbrojtjes së qiellit të kaltër", duke ju referuar me këtë, shtimit të ditëve me ajër të pastër.

Ndërkohë, njoftohet se Kina ka ndërtuar rrjetin më të madh të kontrollit të cilësisë së ajrit midis vendeve në zhvillim dhe gjithashtu po ofron mbështetje teknike për parandalimin e ndotjes së ajrit.

Zëdhënësi Liu tha se gjatë pesë vjetëve të fundit, janë arritur të gjitha synimet e strategjisë së përmirësimit të cilësisë së ajrit. Kjo strategji përfshin reformimin e strukturës industriale, të sektorit të prodhimit të energjisë dhe të transportit.

Sipas tij, sistemi i monitorimit të mjedisit i mbulon tani të gjitha 31 provincat (në nivel distrikti dhe qyteti).

"Hapi i radhës është hartimi dhe zbatimi i një plani trevjeçar për të arritur qëllimin e 'qiellit të kaltër', ku do të vendosen parime dhe detyra konkrete, për të drejtuar parandalimin dhe kontrollin e ndotjes së ajrit në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei dhe rajonet përreth, si dhe në rajonin e Deltës së Lumit Yangtze. Do të vazhdojmë të zbatojmë projektin e sistemit të ngrohjes me energji të pastër në rajonin verior. Pra në 28 qytete do të kalohet nga përdorimi i qymyrgurit për ngrohje në përdorimin e energjisë elektrike dhe gazit, duke nxitur vazhdimisht energjinë e pastër. Do të vazhdojmë të nxisim reformën e termocentraleve me qymyr, të çelikut etj., dhe do të të pakësojmë transportin rrugor e shtojmë transportin hekurudhor," theksoi zëdhënësi.

Sipas kreut të sektorit të monitorimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Liu Zhiquan, Kina ka ndërtuar rrjetin më të madh të monitorimit të cilësisë së ajrit. Rrjeti është ndërtuar në katër shkallë "kombëtar-rajonal-provincial-qytetas" dhe ofron parashikimin e saktë të cilësisë së ajrit nga 1 në 3 ditë, si dhe jep prirjen për 7 ditë.

Saktësia e parashikimit të ndotjes së rëndë arrin thuajse nivelin 100%, saktësia e parashikimit të ndotjes në qytetet e mëdha arrin në afro 80%, ndërkohë sistemi ofron mbështetje teknike edhe për studimin, parandalimin dhe reagimin ndaj ndotjes së rëndë.

"Për monitorimin e cilësisë së ajrit kemi ngritur 1436 stacione në 338 qytete të vendit, të gjitha stacionet kanë aftësi për monitorimin e nivelit të grimcave PM2.5. Në monitorimin e cilësisë së ujërave tokësore, stacionet e monitorimit mbulojnë 10 burime kryesore, 1366 lumenj dhe 139 rezervuar të rëndësishëm. Në monitorimin e tokës, është ndërtuar rrjeti i monitorimit të me 38.8 mijë pika vrojtimi, duke përfshirë të gjitha llojet e tokës dhe vendet e origjinës së prodhimeve bujqësore," tha ai.

Në lidhje me shfaqjen e fenomenit të mashtrimit dhe të manipulimit të të dhënave, zyrtari Liu Zhiquan thotë se Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit do të tregojë tolerancë zero.

"Nëpërmjet monitorimit në distancë dhe kontrollet në vend, po forcojmë mbikëqyrjen mbi monitorimin e mjedisit, të ujërave etj. Do të dënohen ashpër ngjarjet e mashtrimit dhe manipulimit të të dhënave në Xian dhe vende të tjera dhe do të sigurojmë publikimin e statistikave të vërteta, të sakta dhe të gjithanshme," u shpreh zyrtari. (Zhan Dian)

Mrekulli
Lajmet Kryesore