Dogana e Zhengzhou-t, shembull i biznesit elektronik ndërshtetëror

2017-10-10 17:05:30 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 电商---[diàn shāng]---Biznesi elektronik

Qyteti Zhengzhou, që ndodhet në qendrën e Kinës, ka një histori prej mbi 3500 vjetësh. Sot ky qytet i lashtë bëhet edhe qendër e logjistikës dhe doganë e rëndësishme e tregtisë globale që punon me moton "blerje nga e gjithë bota, shitje për të gjithë botën".

Në sajë të komunikimit shumë të lehtë hekurudhor, automobilistik e ajror, këtu grumbullohen automjete, qumësht pluhur, artikuj kozmetikë e produkte për kujdesin shëndetësor të importuara nga vende të ndryshme, por edhe pajisje elektronike, veshmbathje, lodra e stoli për eksport. Për trajtimin e një vëllimi kaq të madh tregtar, dogana e Zhengzhou-t realizon 5 milionë zhdoganime në ditë, duke shërbyer si shembull për biznesin elektronik ndërshtetëror.

Një prej linjave hekurudhore "China Railway Express" është ajo nga qyteti Zhengzhou në Hamburg të Gjermanisë, me gjatësi prej mbi 10 mijë kilometrash, që përfshin 121 qytete të 24 vendeve. Tani në këtë linjë funksionojnë 14 trena mallrash. Për të siguruar funksionimin normal, dogana Zhengzhou-t ka thjeshtuar procedurat e zhdoganimit dhe ka nxitur kryerjen e procedurave on line.

Sipas zonjës Wu Yanyan, drejtore e zyrës së stacionit lindor hekurudhore pranë doganës së Zhengzhou-t, me thjeshtësimin e procedurës së zhdoganimit, mund të kursehen 3 deri në 5 ditë për përpunimin e një treni dhe shkurtimin e periudhës nga 19 në 12 ditë.

Globalizimi dhe informatizimi lindën biznesin elektronik ndërshtetëror. Vitin e kaluar vëllimi i tregtisë së jashtme kineze nëpërmjet internetit arriti në 6.7 trilionë juanë, kurse sivjet kjo shifër pritet të arrijë në 7.5 trilionë juanë. Përballë modelit të ri të tregtisë së jashtme, mënyra e vjetër e zhdoganimit ka hasur shumë probleme për garantimin e cilësisë së artikujve, administrimin e tregtisë ndërkombëtare dhe taksimin nga shteti. Por për të gjitha këto probleme është gjetur rrugëzgjidhje në Zhengzhou.

Drejtori i doganës Zhengzhou, Sun Yuning:

"Modeli 'bonded' (lë në doganë) i zgjidh këto probleme. Mallrat importohen me kontroll, kështu në rast problemesh cilësie, mund të kërkohet kompania e prodhimit. Taksimi realizohet në kohën e daljes nga zona 'bonded', gjithashtu në mënyrë të përqendruar. Modeli 'bonded' zbatohet në zonën e posaçme të kontrolluar nga dogana dhe kështu sigurohet taksimi. Ky problem i përbashkët i doganave botërore zgjidhet nga dogana Zhengzhou-t dhe mund të shërbejë gjithashtu si model për zgjidhjen e këtij problemi".

Drejtori Sun bëri të ditur gjithashtu se në bazë të reformave, në doganën e Zhengzhou-t shpejtësia e zhdoganimit u ngrit nga 3 sekonda për një artikull në 50 artikuj brenda një sekonde. Kështu mund të realizohen 5 milionë mallra të zhdoganuar në ditë.

Çdo ndryshim i vogël i doganës pasohet me zgjerimin e vëllimit tregtar. Këto masa për thjeshtimin e zhdoganimit në doganën e Zhengzhou-t me siguri do të nxitin zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore