Masakra në Las Vegas shkakton 59 viktima

2017-10-03 11:50:23 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:枪击---[qiāng jī]---Qitje me armë

Një sulm me armë zjarri të hënën në mbrëmje sipas orës vendore në Las Vegas kundër një turme të mbledhur në shesh për një koncert, shkaktoi të paktën 59 të vdekur dhe 527 të plagosur, duke shënuar sulmin më të rëndë në dekada në ShBA. Sipas njoftimeve, Shteti Islamik (IS) ka marrë autorësinë e këtij sulmi, por FBI-a e ka përjashtuar këtë mundësi.

Ky incident me armë zjarri shënoi bilancin më të madh të vrasjeve dhe plagosjeve në historinë moderne të SHBA-së. Autori i sulmit është 64-vjeçari i bardhë Stephen Paddock. Ai hapi zjarr me armë automatike nga kati i 32-të i hotelit Mandalay Bay në Las Vegas në drejtim të një turme të pranishme në një festival muzikor. Pas marrjes së alarmit, policia iu drejtua dhomës së autorit, por ai vrau veten në çastin e mbërritjes së policisë.

Pas incidentit, presidenti amerikan Donald Trump iu drejtua me një fjalim kombit ku dënoi ashpër sulmin dhe i bëri thirrje popullit amerikan të qëndrojë i bashkuar. Trump tha se ky incident është veprim çnjerëzor dhe populli amerikan është i trishtuar e i tronditur për të. Ai shprehu simpatinë e tij për të afërmit e viktimave, ndërsa falënderoi ata që morën pjesë në operacionet e shpëtimit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare tha në një deklaratë se po ndjek me vëmendje këtë incident dhe theksoi se do ta hetojë së bashku me institucionet e tjera. Departamenti shtoi se ka forcuar masat e sigurisë në vendet publike.

Të hënën, presidenti kinez Xi Jinping i dërgoi mesazh ngushëllimi homologut Donald Trump. Ai shprehu simpatinë e thellë ndaj qeverisë e popullit amerikan pas incidentit në Las Vegas. Njëkohësisht presidenti Xi Jinping shprehu ngushëllime të thella për viktimat dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson u shpreh thellësisht i tronditur nga incidenti terrorist në Las Vegas dhe tha se populli britanik do t'i qëndrojë pranë popullit amerikan për të shmangur përsëritjen e këtyre incidenteve të dhunshme.

Edhe presidenti francez Emanuel Macron, presidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto, kryeministri japonez Shizo Abe, presidentja e Estonisë Kersti Kaljulaid etj., shprehën me radhë simpatinë e tyre ndaj popullit amerikan. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore