OKB-ja zhvillon mbledhje të hapur për Lindjen e Mesme

2017-07-26 18:14:18 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:和谈---[hé tán]---Bisedime për paqe

Këshilli i Sigurimit i OKB-së organizoi të martën një mbledhje me dyer të hapura mbi problemin e Palestinës. Pjesëmarrësit i bënë thirrje Palestinës dhe Izraelit të vetëpërmbahen dhe t'u kthehen sa më parë bisedimeve politike për paqe. Mbledhja u drejtua nga përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, ambasadori Liu Jieyi.

Në mbledhjen e së martës, koordinatori i posaçëm i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Nikolaj Mladenow, ju raportoi në fillim anëtarëve të Këshillit të Sigurimit mbi gjendjen në Palestinë e sidomos në Jerusalem.

Ai theksoi se tani palët e ndryshme nuk duhet të ndërmarrin veprime provokuese dhe duhet t'i shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e krizës. Në fjalimin e tij, ai vlerësoi vendimin e Izraelit për heqjen e zbuluesve metalikë te hyrja e Malit Tempull, zonë e shenjtë fetare e judaizmit dhe e islamit në qytetin e vjetër të Jerusalemit.

Mladenowi u shpreh se konflikti midis Palestinës dhe Izraelit ka zgjatur mbi 100 vjet dhe problemi i statusit të Jerusalemit duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve midis palëve.

"Si vendi pushtues, Izraeli ka përgjegjësi të kryejë detyrat e veta sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe të humanizmit, duke treguar vetëpërmbajtje maksimale për të shmangur viktimat dhe plagosjet e njerëzve apo shkallëzimin e tensionit. Ndërkohë, edhe liderët palestinezë kanë detyrime për të parandaluar përhapjen e fjalëve provokuese dhe të denoncojnë veprimet e tilla nga disa fraksione të brendshme", shtoi koordinatori i OKB-së, i cili i nxiti njëkohësisht të dyja vendet të rikthehen sa më shpejt në tryezën e bisedimeve për paqe.

Gjatë takimit të hapur në Këshillin e Sigurimit, folën gjithashtu vëzhguesi i Palestinës dhe përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit.

Përfaqësuesi palestinez vlerësoi palën kineze si vend kryesues të radhës të Këshillit të Sigurimit për organizimin e mbledhjes.

Sipas tij, Palestina mbështet kufirin e përcaktuar në vitin 1967 dhe rezolutat përkatëse të OKB-së, si dhe përkrah rifillimin e bisedimeve të paqes mbi "parimin e Madridit" dhe "nismën arabe të paqes" me shpresën se ato do të fitojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të zbutur tensionet e tanishme.

Ndërsa, përfaqësuesi izraelit theksoi në fjalimin e tij, dëshirën që Palestina të ndalojë fjalët dhe veprimet provokuese e terroriste si dhe e ftoi të ndërmarrë përpjekje reale për arritjen e një projekti të vërtetë të realizimit të paqes.

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës, ambasadori Liu Jieyi vuri në dukje se problemi i Palestinës ka rëndësi kyçe për zgjidhjen e çështjes së Lindjes së Mesme.

"Ai është burimi i krizës dhe një matës i drejtësisë ndërkombëtare," tha ai. Sipas Liu, bashkësia ndërkombëtare duhet të tregohet largpamëse për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit rajonal e botëror dhe të nxisë zgjidhjen e plotë politike të problemit të Palestinës, duke mbrojtur interesat e ligjshme të popullit palestinez dhe parandaluar daljen jashtë kontrollit të situatës drejt një krize më të madhe.

Mrekulli
Lajmet Kryesore