Eksplorimi hapësinor nga Kina, përfitim dhe bashkëpunim

2017-06-07 13:21:45 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:航天---[háng tiān]---Hapësirë ajrore
Të martën u hap në Qendrën e Konferencave Ndërkombëtare të Pekinit Konferenca e Eksplorimit Global të Hapësirës Ajrore për vitit 2017. Në këtë konferencë marrin pjesë afro një mijë shkencëtarë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve e organizatave të ndryshme dhe politikëbërës. Në konferencën katërditore do t'u hidhet një vështrim arritjeve të vendeve të ndryshme gjatë viteve të fundit në fushën e eksplorimit të hapësirës ajrore, si edhe do të diskutohet lidhur me sfidat që dalin përpara dhe projektet e zgjidhjes së tyre, si edhe drejtimin e zhvillimit të ardhshëm.

Fjala kyçe: hangtian - hapësirë ajrore
Tema kryesore e konferencës së sivjetshme është "Përfitimi dhe bashkëpunimi". Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe zv.presidenti i Kinës Li Yuanchao. Në fjalën e vet ai vuri në dukje: "Në historinë e zhvillimit të hapësirës ajrore nga njeriu, eksplorimi është një fjalë e rëndësishme dhe një koncept me shumë vlerë që duhet çuar përpara. Qeveria kineze ka përkrahur me konsekuencë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e hapësirës ajrore. Kina dëshiron të bashkëpunojë me vendet e ndryshme për të krijuar një hapësirë ajrore paqësore, të sigurt dhe të rregullt, duke krijuar nëpërmjet eksplorimit të hapësirës ajrore një të ardhme më të bukur të njerëzimit."

Fjala kyçe: hangtian - hapësirë ajrore
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Astronautikës Jean-Yves Le Gall u shpreh në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes se në Pekin janë zhvilluar me sukses veprimtari të ndryshme, si dy Kongrese Ndërkombëtare të Astronautikës përkatësisht në vitin 1996 dhe në vitin 2013, Konferenca Botërore për Hënën në 2010 etj. Sipas tij, me vijimin e zhvillimit të industrisë globale të hapësirës ajrore dhe me një vështrim periodik të arritjeve botërore në këtë fushë, është koha e duhur për thellimin e diskutimeve lidhur me të ardhmen e eksplorimit të hapësirës ajrore.

Fjala kyçe: hangtian - hapësirë ajrore
Yang Liwei, drejtori i Zyrës së Fluturimeve Hapësinore me Kozmonautë të Kinës, që është njëkohësisht edhe astronauti i parë kinez në hapësirën ajrore, tha në një intervistë për gazetarët se programi i zhvillimit hapësinor i Kinës është duke ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme. Projekti për lëshimin në hapësirë të modulit bazë do të nisë në vitin 2018, ndërsa në vitin 2022 do të përfundojë ndërtimi i stacionit hapësinor kinez. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe Kina do të thellojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare të hapësirës dhe vendet e ndryshme.

Mrekulli
Lajmet Kryesore