Kina lëshon satelitin "Shijian-13" për komunikim në bandë të gjerë

2017-04-13 17:48:23 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:卫星---[wèi xīng]---Satelit

Kina lëshoi me sukses të mërkurën satelitin "Shijian-13" nga Qendrën e Satelitëve Xichang në jugperëndim të vendit. Ky është sateliti i parë me kapacitet të madh, që kalon të gjithë satelitët e komunikacionit të lëshuar nga Kina në të kaluarën. "Shijian-13" do të ofrojë shërbime komunikimi në bandë të gjerë me cilësi të lartë për zonat e largëta si dhe sistemet e pozicionimit të automjeteve, aviacionit, anijeve dhe trenave në lëvizje.

Si një vend me territor të gjerë dhe me reliev të thyer, në Kinë ekzistojnë ende shumë zona të pambuluara nga interneti.

Njëkohësisht, në disa rajone të varfra, instalimet e internetit në bandë të gjerë janë relativisht të prapambetur. Pas futjes në shfrytëzim të satelitit "Shijian-13", sinjali mund të përfshijë pjesën e madhe të territorit tokësor të Kinës si dhe hapësirën ujore deri në 100 kilometra distancë nga vija bregdetare.

Për shkak se nuk kufizohet nga kushtet tokësore, sateliti "Shijian-13" do t'u ofrojë mjeteve të transportit në lëvizje sinjalin e internetit në bandë të gjerë me kosto të ulët.

Kryeprojektuesi i satelitit "Shijian-13", Liu Fang, tha se ky satelit mund të realizojë "komunikim në lëvizje", që do të thotë garantim të komunikimit satelitor për mjetet transportuese në lëvizje, si automjetet, anijet, mjetet e aviacionit etj. Sipas të dhënave statistikore, numri mesatar i pasagjerëve të aviacionit civil i kalon 1.2 milionë në ditë dhe ai i hekurudhës 7.6 milionë, por ata nuk mund të gëzojnë shërbime të mira të lidhjes me internetin.

Në kabinën e aeroplanit nuk mund të përdoret interneti, në trenat e shpejtësisë së lartë, sinjalet e internetit janë të ndërprera, kurse në anijet larg porteve nuk ka fare internet. Të gjitha këto shqetësime të pasagjerëve do të zhduken me futjen në përdorim të satelitit "Shijian-13"

Njoftohet se çdo vit mbi 60 milionë kinezë marrin pjesë në aktivitete në natyrë, si udhëtimin më këmbë, alpinizmin, udhëtimin me automjet etj. Si pasojë e sinjaleve të dobët të telekomunikacionit në zona të largëta, ndodhin afro 1 mijë aksidente të humbjes së personit në muaj.

Rastet më të rrezikshme ndodhin gjatë fatkeqësive natyrore, si tërmetet, përmbytjet, cunamet etj., kur humben lidhjet për shkak të zhdukjes së sinjaleve të komunikacionit. Pas futjes në përdorim, sateliti "Shijian-13" do të luajë rol kyç në komunikimin urgjent dhe do të garantojë operacionet e shpëtimit.

Me një zhvillim mbi 40 vjeçar, Kina ka shënuar përparime të mëdha në kërkimin dhe prodhimin e satelitëve të komunikacionit. Por në krahasim me vendet e Amerikës së Veriut dhe të Europës, hendeku mbetet ende i madh. Në të ardhmen, Kina do të vazhdojë të nxitë zhvillimin e teknologjisë së satelitëve të komunikacionit. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore