Vendet "BASIC", të vendosur për zbatimin e 'Marrëveshjes së Parisit'

2017-04-12 17:29:21 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:气候---[qì hòu]---Klimë

Ministeriali i 24-t për ndryshimin e klimës i katër vendeve "BASIC" (Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut) u zhvillua të hënën e të martën në Pekin.

Që nga krijimi i këtij mekanizmi shumëpalësh në vitin 2009, të katër vendet kanë luajtur rol të rëndësishëm për nxitjen e procesit shumëpalësh të bashkëveprimit për ndryshimin e klimës, mbrojtjen e solidaritetit e të interesave të vendeve në zhvillim si dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për arritjen e 'Marrëveshjes së Parisit'.

Në deklaratën e përbashkët të bërë në këtë mbledhje theksohet se të katërt vendet e mekanizmit "BASIC" do të zbatojnë në mënyrë të gjithanshme, efikase dhe të vazhdueshme "Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimin e Klimës" dhe do të mbajnë premtimet më të larta politike për "Protokollin e Kyoto-s" dhe "Marrëveshjen e Parisit".

Në konferencën e shtypit pas mbledhjes, përfaqësuesi i posaçëm i Kinës për çështjen e ndryshimit të klimës, Xie Zhenhua, tha se Kina do të vazhdojë të marrë masa për të frenuar ndryshimet e klimës dhe do të zbatojë detyrimet e veta një qind për qind.

"Kina ka paraqitur planin e vetë pesëvjeçar në përballimin e ndryshimit të klimës, duke përcaktuar objektivin deri në vitin 2020 si tregues frenues për çështjet e përgjithshme. Besoj se Kina do t'i mbajë plotësisht premtimet e bëra deri në vitin 2020," tha përfaqësues kinez.  

Në këtë mbledhje, ministrat e vendeve të ndryshme shkëmbyen mendime lidhur me nxitjen e procesit shumëpalësh të klimës në situatën e tanishme, kryesisht për vijimin e bisedimeve për 'Marrëveshjen e Parisit' dhe për forcimin e veprimeve para vitit 2020.

Ministrat e pranishëm theksuan në veçanti se vendet e zhvilluara duhet të mbajnë zotimet e detyrimet e tyre ligjore të përcaktuara nga "Konventa e OKB-së" dhe "Marrëveshja e Parisit" për t'i përkrahur të gjitha vendet në zhvillim duke u ofruar atyre fonde, teknologji dhe ndihmë për ngritjen e aftësisë për të përballuar ndryshimet e klimës.

Në fund të këtij viti, Konferenca e 23-të e palëve nënshkruese të "Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimin e Klimës" do të zhvillohet në Bon të Gjermanisë, gjë që do të hedhë një bazë të rëndësishme për zbatimin e 'Marrëveshjes së Parisit'.

Kundrejt ndryshimit të mundshëm të qasjes së qeverisë amerikane ndaj ndryshimeve të klimës, përfaqësuesi i Kinës, Xie Zhenhua, tha se përfaqësuesit e kateve vendeve "BASIC" diskutuan thellësisht mbi situatën ndërkombëtare dhe ritheksuan njëzëri se për përballimin e ndryshimit të klimës duhet bashkëpunimi i vendeve të ndryshme.

Në deklaratën e përbashkët, ministrat e kateve vendeve ritheksuan se procesi global i ndryshimit të klimës është i pakthyeshëm dhe nuk mund të shtyhet. Të gjitha vendet nënshkruese të 'Marrëveshjes së Parisit' duhet ta përkrahin atë, duke u nisur nga interesat e mbarë njerëzimit dhe të brezave të ardhshëm. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore