Egjipt, shpërthimet në dy kisha shkaktuan 47 viktima

2017-04-10 17:02:14 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 爆炸---[bào zhà]---Shpërthim

Dy shpërthime me radhë që ndodhën të dielën në dy kisha tË Egjiptit, në Tanta në qendër dhe në Aleksandri në veri shkaktuan të paktën 47 viktima. Në përgjigje të gjendjes, presidenti i Egjiptit Abdel-Fattah El-Sisi shpalli vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme e cila do të zgjasë tre muaj.

Shpërthimi i parë ndodhi të dielën paradite në kishën Mar Girgis të qytetit Tanta gjatë kohës që po zhvillohej mesha me rastin e "të dielës së dafinave" (e diela e palmave), ditë që shënon fillimin e javës së shenjtë të Pashkës.

Duke iu referuar autoriteteve të sigurisë së Egjiptit, televizioni shtetëror tha se shpërthimi i parë u shkaktua nga një bombë e vendosur poshtë një karrigeje të kishës, prandaj bilanci i viktimave ishte më i madh. Deri tani, janë raportuar 26 të vrarë e 71 të plagosur.

Sulmi i dytë me bombë ndodhi në kishën Shën Markut në qytetin e dytë më të madh të Egjiptit, në Aleksandri, nga i cili u shkaktuan 18 viktima, përfshirë dhe policë.

Organizata ekstremiste e "Shteti Islamik" mori përsipër përgjegjësinë për këto dy shpërthime.

Në Tanta, besimtarët e krishterë koptikë që humbën të afërmit e tyre janë hidhëruar thellë nga kjo tragjedi.

I afërmi i një prej viktimave, Wahby Lamie, tha se aktet terroriste nuk do të arrijnë të përçajnë shoqërinë egjiptiane:

"Veprimet e ekstremistëve nuk mund ta përçajnë shoqërinë tonë, pavarësisht se ne po ndeshemi me një realitet mizor. Kemi një hidhërim dhe emocionin të pakontrollueshëm. Për çdonjërin prej nesh kjo është e padrejtë."

Pas shpërthimeve, presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah El-Sisi thirri një mbledhje urgjente të Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare dhe u kërkoi trupave të armatosura ta ndihmojnë policinë të mbrojë sigurisë së institucioneve të rëndësishme.

Po në të dielën në mbrëmje, el-Sisi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

"Kemi marrë një sërë masash për ta përballuar gjendjen e tanishme. Në plan të parë, do të zbatojmë gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë vendin për tre muaj, siç e kërkon kushtetuta dhe ligji, në mënyrë që të mbrojmë vendin tonë," tha presidenti

Sulmi i kishave egjiptiane u dënua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Këshilli i Sigurimit i OKB-së i dënoi këto sulme dhe i quajti ato "të urryer dhe frikacak".

Edhe presidenti i ShBA-së Donald Trump dhe Papa Françesku i dënuan ashpër sulmet. (Wang Lei/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore