Kina, konsumatorja nr.1 e energjisë në botë

2017-03-31 16:56:28 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 能源---[néng yuán]--- Energji

Në vitin 2016, Kina u radhit në vendin e parë në botë për vëllimin e konsumit të energjisë, duke zënë afro 23% të vëllimit të përgjithshëm të konsumit global.

Sipas Raportit të Zhvillimit të Energjisë të Kinës për vitin 2016, të publikuar së fundi nga Instituti i Planifikimit të Energjisë Elektrike, vitin e kaluar u vu re ngadalësim i konsumit. Tani zhvillimi i energjisë në Kinë karakterizohet nga ngadalësimi i rritjes së konsumit dhe lehtësimi i ofertë-kërkesës. Në të ardhmen garantimi i energjisë në Kinë do të fokusohet në cilësinë dhe efikasitetin e sistemit.

Nga raporti del se Kina konsumoi vjet 4 miliardë e 360 milionë tonë qymyrguri standard, ose 1.4% më shumë në krahasim me vitin 2015. Vëllimi i konsumit të qymyrit u ul me 4.7%, duke shënuar ulje për tre vjet me radhë. Edhe përqindja e vëllimit të konsumit të qymyrit pati ulje prej 2 pikash kundrejt vëllimit të përgjithshëm, ndërkohë energjia jofosile dhe gazi natyror patën rritje prej 1.7 pikash kundrejt vëllimit të përgjithshëm.

Në raport përmendet se gjatë vitit 2016 vëllimi i konsumit të energjisë të Kinës zuri afro 23% të atij të përgjithshëm botëror, duke u radhitur në vendin e parë, ndërsa ShBA-ja e BE-ja në vendin e dytë e të tretë përkatësisht me 17% dhe 12%.

Kryeinxhinieri i Bordit Kombëtar të Energjisë të Kinës, Han Shui, tha se në gjendjen e re normale të ekonomisë, është në ndryshim e sipër struktura e prodhimit dhe e konsumit të energjisë.

Në raport theksohet se transporti dhe ndërtimi janë dinamikat kryesore të rritjes së konsumit të energjisë në Kinë. Në fushën e transportit, është përhapur shpejt teknologjia e energjisë elektrike në vend të karburantit. Ndërkohë, zhvillimi i shpejtë i energjisë jofosile ka nxitur përmirësimin e strukturës së energjisë në Kinë.

Me zhvillimin normal të nismës "Brezi dhe Rruga", kompanitë kineze të energjisë kanë pasur përparime të mëdha në bashkëpunimin dhe investimet në vende të tjera.

Për vitin 2017, në raport parashikohet se në vëllimin e përgjithshëm të konsumit të energjisë, Kina do të ruajë një rritje të ulët si dhe një strukturë të qëndrueshme. Konsumi i energjisë jofosile dhe i gazit natyror do të vazhdojë të rritet përkatësisht deri në 6.7% dhe 14.8%, ndërsa vëllimi konsumit të qymyrgurit do të vazhdojë të bjerë.

Në raport propozohen detyrat e ardhshme kryesore në fushën e energjetikës, ku nënvizohet garantimi i furnizimit dhe rritje e cilësisë e efikasitetit, përdorimi i energjisë së pastër për ngrohje në dimër në krahinat veriore të Kinës, zhvillimi i energjive të ripërtëritshme dhe nxitja e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën energjetike nën kornizën e nismës "Brezi e Rruga." (Wang Lei/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore