Wang Yi flet për takimin e G7-s
  2016-04-11 11:53:08

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh se, në takimin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të G7-s, nuk duhet shfrytëzuar çështja e Detit të Kinës Jugore.

Gjatë takimit me sekretarin e Jashtëm britanik Philip Hammond, Wang theksoi se Kina shpreson se Britania e Madhe do të mbajë një qëndrim objektiv, të drejtë dhe të paanshëm për këtë çështje.

Ministrat e jashtëm të vendeve të G7-s - Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara - planifikohet të takohen të dielën në Hiroshima të Japonisë.

Gjatë takimit me homologun e vet britanik, kryediplomati kinez Wang Yi përsëriti edhe qëndrimin e Kinës lidhur me Hong-Kongun, duke thënë se çështjet e Hong-Kongut janë punë e brendshme e Kinës.

Lidhur me marrëdhëniet kino-britanike, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u bëri thirrje të dy palëve që të vazhdojnë të forcojnë shkëmbimet e nivelit të lartë dhe të rritin mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, për të siguruar fillimin e mbarë të një "epoke të artë" në marrëdhëniet dypalëshe. (Albana)