Kremlini hedh poshtë lidhjen e Putinit me skandalin "offshore"
  2016-04-05 11:49:08

Qeveria ruse hodhi poshtë të hënën raportet e lidhura me të afërm dhe miq të presidentit Vladimir Putin, për skandalin "offshore" me vlerë miliarda dollarë amerikanë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Paskov i cilësoi raportet si spekulime, duke theksuar se në shënjestër të tyre është presidenti Putin.

Konsorciumi Ndërkombëtar për Gazetarinë Investigative publikoi të dielën rreth 11 milion dokumenta, të lidhura me një firmë ligjore panameze, sipas të cilave personalitete të larta shtetërore dhe publike nga vende të ndryshme të botës, përfshirë njerëz të afërt të Putinit kanë kryer transaksione të paligjshme bankare në vlerën 2 miliard dollarë. Ndërsa në një raport të publikuar të enjten thuhej se të afërmit e presidentit rus kishin siguruar përfitime nga kontratat shtetërore të ndërtimeve.

Lidhur me publikimin, zëdhënësi Peskov tha se Kremlini zyrtar ishte në pritje të publikimit të "mashtrimeve" nga ana e disa grupeve të organizuara në Perëndim dhe Rusi, me synim goditjen e presidentit Putin, familjes dhe miqve të tij. (Eda Merepeza)