Qeveria japoneze paditet nga shtetas kinezë, për refuzim vizash
  2016-03-25 11:34:19

Një grup shtetasish kinezë kanë ngritur një padi në një gjykatë të Tokjos, me të cilën akuzojnë qeverinë japoneze për ndërhyrje në lirinë e fjalës dhe të tubimit. Shkak për këtë u bë refuzimi i vizave nga qeveria japoneze për 12 shtetas kinezë, të ftuar për të marrë pjesë në një simpozium mbi çeshtjet e luftës.

Shtetasit kinezë nëpërmjet padisë kërkojnë një kompensim prej 59 mijë dollarësh për secilin prej personave, që u është refuzuar viza.

Disa prej personave që iu refuzua viza japoneze janë anëtarë të familjeve kineze, viktima të Njësisë famëkeqe 731, ku ushtria japoneze kryente eksperimente biologjike dhe kimike në verilindje të Kinës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. (Eda Merepeza)