Liderët shqiptarë shprehin solidaritet me Belgjikën
  2016-03-23 12:57:51

Pas sulmeve terroriste të së martës në Bruksel, liderët shqiptarë kanë shprehur solidaritetin e tyre. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se "mbështesim Belgjikën dhe qytetarët belgë. Nuk ka vend për terrorizmin në Europë. Shqipëria është përkrah partnerëve euroatlantikë, për të çrrenjosur celulat terroriste."

Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama, në një mesazh të postuar në Facebook thekson se " Bombat që shkaktuan vdekjen e të pafajshëmve në zemër të Europës do të forcojnë guximin e saj, për të fituar këtë betejë të re, në emër të lirisë."

Ministri i jashtëm Ditmir Bushati, në ditën e dytë të vizitës së tij në Greqi, shkruan në Facebook se " jam i tronditur nga sulmet terroriste në zemër të Bashkimit Europian. Jemi përkrah Belgjikës dhe popullit belg në këto çaste të vështira. Shqipëria solidarizohet me autoritetet belge dhe popullin belg, për të përballuar situatën dhe për të fituar kundër terrorizmit." (Eda Merepeza)