Industritë gjermane dhe franceze: Të mos prishet Marrëveshja Shengen
  2016-03-17 14:19:43

Në prag të një samiti vendimtar të BE-së këtë javë për arritjen e një marrëveshjeje me Turqinë për krizën e refugjatëve dhe emigrantëve, drejtuesit e grupeve kryesore të industrisë gjermane dhe franceze i bënë thirrje qeverive europiane të ruajnë sistemin pa viza Shengen. Ata paralajmëruan se një rënie e këtij sistemi do të rrezikonte prosperitetin e rajonit.

"Heqja e kontrolleve kufitare mundëson lirinë e udhëtimit dhe është një parakusht i rëndësishëm për rritjen dhe prosperitetin," thanë në një deklaratë të përbashkët drejtuesit e shoqatave gjermane dhe franceze të punëdhënësve BDA, BDI dhe MEDEF të mërkurën.

Prosperiteti, siguria dhe liria jonë janë në rrezik," thuhet në deklaratë.

Ata i bënë thirrje qeverive të BE-së të bëjnë "gjithçka që kanë në dorë" për të ruajtur Marrëveshjen Shengen, ndërkohë që forcojnë kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së. (Albana)