">Të rinjtë kinezë dhe të dhënat për jetën e tyre sentimentale<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Të rinjtë kinezë dhe të dhënat për jetën e tyre sentimentale
  2016-03-14 15:50:06

Beijing News, duke iu referuar së fundmi Raportit për Lidhjet dashurore dhe martesore në Kinë gjatë vitit 2015 vëren se të rinjtë kinezë nisin lidhjet dashurore në një moshë më të re se parardhësit e tyre, por martohen në një moshë më të madhe se ata. Raporti është realizuar nga Instituti i Shkencave Sociale i Universitetit të Pekinit dhe është kryer në rreth 80 mijë qytetarë të moshave të ndryshme dhe niveleve të ndryshme të arsimimit anembanë Kinës, përfshirë dhe Rajonet Hong Kong, Makao si dhe Tajvanin.

Raporti nënvizon se 51.09% e të rinjve kinezë nisin lidhjet dashurore para moshës 18 vjeçare, ndërsa të rinjtë që i përkasin familjeve me një prind i nisin ato më herët, rreth moshës 16 vjeçare. Kjo moshë te të rinjtë ka evoluar shumë nëse i referohemi të dhënave të viteve 90-të të shekullit të kaluar.

Studimi i Universitetit të Pekinit nënvizon se të rinjtë e sotëm kinezë nisin marrëdhëniet seksuale para moshës 18 vjeçare, mjaft herët nëse i referohemi moshës 22 vjeçare të nisjes së marrëdhënieve intime nga moshatarët e tyre të viteve 80-të të shekullit të kaluar. Në këtë studim thuhet se të rinjtë më të avancuar në drejtim të jetës intime janë ata pekinas.

Të rinjtë e sotëm martohen vonë

Shumica e të rinjve të anketuarkanë thënë se janë martuar rreth moshës 22-28 vjeç, 63% e djemve tyre janë martuar mbi 25 vjeç, ndërsa 83% e vajzave mbi 23 vjeç. Të rinjtë që bashkëjetojnë para martesës mbeten një pakicë në Kinë pasi ata përbëjnë vetëm 38% të të anketuarve.

Studimi i Universitetit të Pekinit tregon se bashkëshortet ndjehen mëpak të lumtura gjatë martesës, pasi ato kanë presion të madh përsa i përket profesionit të tyre, punëve të shtëpisë apo kujdesit ndaj fëmijës dhe në disa raste dhe të prindërve. Nënat e reja janë jo shumë të lumtura dhe nën stres gjatë përditshmërisë së tyre. Studimi zbulon se gjatë 3 viteve të para të martesës shumica e nënave të reja merren me lindjen dhe rritjen e fëmijës dhe pak ndihmohen nga bashkëshortët.

Këto studime kanë nisur të botohen qysh në vitin 2007 dhe numërojnë rreth 85 milion të anketuar ndër vite si dhe 73,215 sondazhe për çeshtje sociale që lidhen me martesën dhe lidhjet intime të individëve.

Studimi i vitit 2015 tregon se mbi 60% e të pamartuarve të anketuar kanë thënë se 6 orë në ditë i kalojnë vetëm si dhe shumicën e fund-javave, ndërsa 31.7 % e tyre ka thënë se qëndrojnë rreth 10 orë në ditë vetëm. Duke u thelluar më tej në jetën e beqarëve, në studim është shtruar pyetja se si e kalojnë ata kohën e lire.

Kësaj pyetjeje 32.3 % e vajzave beqare i janë përgjigjur se shohin telenovela, ndërsa 66.6 % e meshkujve kanë thënë se lundrojnë në internet gjatë kohës së lire. Ndër veprimtaritë më të përhapura te të rinjtë beqarë kinezë janë dalja me miqtë, apo lundrimi në internet.

Kushtet ekonomike ndikojnë marrëdhëniet sociale

71.8 % e femrave beqare kanë pretendime për kushtet ekonomike të bashkëshortit të ardhshëm. Ato kërkojnë që djali që i propozon për martesë të ketë një apartament të tijin para se të krijojë familje. Lidhur me këtë pretendim janë dakord dhe 55 % e meshkujve beqarë, thekson raporti.

Paga e qëndrueshme është gjithashtu një kërkesë për lidhje martese si nga ana e vajzave beqare ashtu dhe e djemve.

Ndërsa djemtë beqarë kanë kërkesa të larta përsa i përket pamjes së jashtme të partneres, shëndetit të mirë dhe të jetë romantike, vajzat beqare janë më realiste sepse ato kërkojnë së pari kushte të mira ekonomike të bashkëshortit të ardhshëm dhe më pas shëndet të mirë dhe të jetë romantik.

Studimi i Universitetit të Pekinit është i thelluar, pasi ai merret dhe me analizën e mbarëvajtjes së lidhjes intime midis të rinjve. Kështu 33.55 e djemve beqarë kanë thënë se lidhja e tyre intime ka dështuar për shkak të ndërhyrjes ose mospëlqimit të prindërve për partneren. Madje me liberalizimin e politikës së planifikimit familjar, raporti tregon se rreth 60% e femrave të pyetura nëse do të dëshirojnë të kenë dy fëmijë janë përgjigjur negativisht, një shifër kjo 11% më e lartë se sa e meshkujve. (Eda Merepeza)