Carney: Largimi nga BE-ja, rreziku më i madh për stabilitetin financiar të Britanisë
  2016-03-09 14:50:49

Guvernatori i Bankës së Anglisë Mark Carney u shpreh të mërkurën se largimi nga BE-ja është rreziku më i madh për stabilitetin financiar të Britanisë. Ai shtoi se pasiguria e krijuar nga referendumi mbi largimin nga BE-ja do të ndikojë në ekonominë britanike.

Duke folur në komisionin e financave të Parlamentit Britanik, Carney u shpreh që, nëse Britania largohet nga BE-ja, kjo do të ndikojë në besimin e investitorëve dhe në konsumin familjar, si edhe do të sjellë zhvlerësimin e paundit. Megjithatë, ai theksoi se Banka e Anglisë nuk do të mbajë anë lidhur me referendumin. Nëse Britania largohet nga BE-ja, Banka e Anglisë do të bëjë të gjitha përpjekjet për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit, u shpreh guvernatori i saj Mark Carney.