Kinë: Sesionet vjetore, Shangai e Hong-Kongu në fokus
  2016-03-07 10:33:36

Dy nga qendrat më të mëdha ekonomike të Kinës kanë qenë në qendër të sesionit të sivjetshëm të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.

Lidhur me qytetin e Shangait, një ndër problemet kryesore është çmimi i banesave.

Kryetari i Këshillit Bashkiak të Shangait Han Zheng thekson se po bëhen përpjekje për trajtimin e kësaj çështjeje: "Tregu i pasurive të patundshme në Shangai ka njohur një prirje zhvillimi jo të arsyeshëm dhe lakmie për fitime. Ne po përpiqemi ta vëzhgojmë nga afër këtë dukuri. Strehimi është një pjesë e rëndësishme e jetës së njerëzve dhe për këtë arsye qeveria duhet të sigurojë që tregjet të mos dalin jashtë kontrollit."

Një tjetër temë fokus e sesioneve të sivjetshme është bashkëpunimi ekonomik mes Hong-Kongut, Guangdong-ut dhe Makaos.

Guvernatori i Guangdong-ut Zhu Xiaodan shprehet se një nga fushat ku po përqendrohet vëmendja, është sipërmarrja e të rinjve:

"Do të vazhdojë Programi i Kualifikimit Veror Guangdong-Hong-Kong. Ai do t'u mundësojë studentëve nga Hong-Kongu ta bëjnë kualifikimin në Guangzhou, Shenzhen, dhe qytete të tjera të mëdha në Deltën e Lumit të Perlave, gjë që do t'u krijojë atyre mundësinë të njihen me gjendjen në Guangdong, veçanërisht në fushën e sipërmarrjes."

Sesionet e Asamblesë Kombëtare Popullore dhe Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez do të vazhdojnë përgjatë gjithë kësaj jave. (Artan Goga)