Greqia kërcënon me veto ndaj vendimeve të BE-së mbi krizën e refugjatëve
  2016-03-02 14:16:31

Greqia mund të vendosë veton ndaj vendimeve të BE-së mbi krizën e refugjatëve në samitin e BE-së që do të mbahet javën e ardhshme, përveç rastit kur mund të ndërmerret dhe të zbatohet menjëherë një plan i përbashkët, i drejtë dhe efikas mbi trajtimin e krizës, tha të martën në Athinë zëdhënësja e qeverisë greke Olga Gerovasilis.

Të përballur me një krizë humanitare, ashtu siç paralajmëroi dhe Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Athina po merr parasysh qëndrimet që do të paraqesë në samitin e BE-së, tha Gerovasilis gjatë një konferencë për shtyp.

Kjo nuk është hera e parë që Greqia kërcënon me veto ndaj vendimeve të BE-së duke shtuar presionin për një menaxhim më të mirë të krizës së refugjatëve, theksojnë mediat vendore të Athinës.

Greqia kërkon shpërndarjen e drejtë të refugjatëve dhe zbatimin e shpejtë të programit të zhvendosjes të BE-së në mënyrë që të mos ketë veprime të njëanshme dhe pengimin e disbursimit të ndihmës emergjente, shtoi Gerovasilis.

Athina ka paraqitur një plan ku i kërkon Komisionit Europian 480 milionë euro si fond emergjence, për të ngritur qëndra strehimi për 100 mijë refugjatë.

Numri i njerëzve të "bllokuar" në Greqi rritet çdo ditë, pasi fluksi i tyre nga Turqia nëpërmjet detit Egje mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht nga vendosja e anijeve të NATO-s në këtë zonë, për të monitoruar fluksin.

Sfida e paraqitur është përtej kapacitetit të Greqisë për të ofruar ndihmën e duhur. Një sërë qëndrash të përkohshme strehimi në të gjithë vendin janë të tejmbushura dhe mijëra refugjatë, përfshirë fëmijë kanë kaluar netën nëpër sheshe dhe vende të hapur, me ushqim të paktë dhe ujë të ftohtë, theksoi Gerovasilis.(Raela)