">Sun Chengxi: Dëshiroj të vizitoj sërish Shqipërinë<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Sun Chengxi: Dëshiroj të vizitoj sërish Shqipërinë
  2016-02-24 16:50:31

80 vjeçari Sun Chengxi e ka mësuar gjuhën greke në Shqipëri dhe e ka përdorur atë pothuajse gjatë gjithë punës së tij në sektorin e tregtisë së jashtme të Kinës. Ai nuk mund të harrojë eksperiancën e vet shqiptare, madje dëshiron të rikthehet të vizitojë Shqipërinë. Gazetarja Zhang Zhuo zhvilloi një bisedë me të. Le ta ndjekim !

Gazetarja: Kur nisët të mësonit gjuhën greke?

Sun Chengxi: Pas diplomimit për gjuhë ruse në Kinë më dërguan në Bullgari për të mësuar gjuhën greke. Ishte një periudhë 4 vjeçare nga viti 1959 deri në vitin 1963. U ktheva në Kinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës zgjodhi 3 vetë për të mësuar gjuhën greke në Shqipëri . Mes tyre isha dhe unë dhe kujtoj se më 2 janar të vitit 1964 mbërrita në Shqipëri ku qëndrova 2 vite e gjysmë.

Gazetarja: Pse duhet të mësonit gjuhën greke?

Sun Chengxi: Për shkak të situatës së atëhershme, kur marrëdhëniet midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik kishin ndryshuar, nuk mund të vazhdonim studimet për gjuhë greke në Bullgari. Kështu u vendos që të mësonim këtë gjuhë në Shqipëri.

Gazetarja: Si arritët të studjonit gjuhën greke në Shqipëri, pasi në këtë vend nuk kishte shumë grekë.

Sun Chengxi: Kushtet ishin të mira. Në jug të Shqipërisë ndodhet minoriteti grek i cili e flet këtë gjuhë. Kështu na u krijuan kushte të përvetësonim gjuhën e folur greke.

Gazetarja: Ju e studjuat gjuhën greke bashkë me studentë shqiptarë në Universitetin e Tiranës?

Sun Chengxi: Në Universitetin e Tiranës dhe në universitetin e Sofjes, nuk kishte degë të gjuhës greke. Gjuha greke ashtu si gjuha jonë kineze është shumë e lashtë dhe ndryshon nga gjuha e sotme greke. Kjo ndodh edhe me gjuhën kineze. Në atë kohë, Kina nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Greqinë, ndaj shkuam në Shqipëri për studimin e gjuhës greke.  

Gazetarja: Çfarë kujtoni nga koha e studimeve në Shqipëri?

Sun Chengxi; Unë kam shumë përshtypje nga vitet e qëndrimit në Shqipëri. Në atë kohë marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë ishin shumë të mira. Megjthëse ishim vetëm 2 studentë, na mësonin 3 pedagogë. Një pedagog ishte dekan I Fakultetit të Letërsisë të Universitetit të Tiranës, i cili na jepte letërsi.Një tjetër pedagog ishte nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe na jepte lëndën e gramatikës, ndërsa pedagogu i tretë ishte drejtor i Shtëpisë Botuese të Veprave të klasikëve të marksizëm-leninizmit. Prandaj kishim një mbështetje të madhe në mësimdhënie. Në konvikt banoja bashkë me dy shqiptarë nga minoriteti grek, me të cilët flisja në gjuhën greke. Ruaj përshtypje mjaft të mira.

Gazetarja: Keni ndonjë ngjarje interesante nga jeta në Shqipëri ?

Sun Chengxi: Kujtoj se praktikën mësimore e zhvilluam në vendlidjen e Enver Hoxhës. Në atë kohë kishin ardhur dhe studentë të tjerë kinezë në Shqipëri, që mësonin gjuhën greke. Unë drejtoja grupin e studentëve. Pasi vizituam Gjirokastrën me makina na çuan në një fshat, me rreth 500 banorë të cilët na mirëpritën. Na pritën me aq gëzim dhe dashuri sikur të ishim të afërmit e tyre. U ndamë nga 2 studentë kinetë në familjet e fshatit dhe kaluam shumë bukur. Këndonim e kërcenim dhe ishim vërtet të lumtur. Mësova më vonë se para mbërritjes sonë në fshat kishte shkuar për inspektim kryetari i qarkut.

Kishte edhe një gjë interesante. Pas punës, burrat mblidheshin në shesh të fshatit ku pinin kafe, ndërsa gratë kryenin punët shtëpiake.Ky ishte një fshat malor ku ujin e pijshëm e ngarkonin me gomarë. Kujtoj se për të larë rrobat duhet të zbrisnim malin, pasi ne kujdeseshim vetë për higjenën tonë. Mbaj mend se një ditë një grua e moshuar e fshatit duke parë këmishën time të pastër më pyeti nëse e kisha larë vetë. Kur ju përgjigja po, më lavdëroi dhe unë u ndjeva vërtet i emocionuar.

Na kishin vënë në dispozicion një grua nga fshati që të pastronte për ne, por përderisa larjen e rrobave dhe gatimin mund ta kryenim vetë nuk ishte e nevojshme. Kujtoj se një fshatar gatuante bukë për ne studentët kinezë. Ata e piqnin në një mënyrë të veçantë bukën dhe na bënte përshtypje, por ishte vërtet e shijshme. Këto janë mbresat e mia.

Gazetarja: Jeta juaj është e lidhur ngushtë me Greqinë. Sa ka ndikuar kjo tek ju ?

Sun Chengxi: Jam pjesë e grupit të parë të përkthyesve të përgatitur nga Kina e re. Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës më ngarkoi me detyrë që në Shangai të punoja për kompanitë kineze të dhënies së anijeve me qira. Punoja si përkthyes për shkëmbimet me Greqinë, pasi 60% e anikeve me qira ishin nga Greqia. Shangai është porti më i madh i Kinës dhe atje kam punuar për një periudhë të gjatë kohe ku edhe kam mësuar shumë.

Përveç këtyre, dëshiroj të kujtoj vizitat e kryministrit Çou në Shqipëri. Gjatë tre vizitave të tij në Shqipëri unë isha atje. Në vizitën e parë të kryeministrit, si përfaqësues i studentëve kinezë në Shqipëri mora pjesë në pritjen zyrtare. Takimi duhet të fillonte sipas planifikimit, por u shty disa minuta, pasi nuk kishte mbërritur ende fjalimi i tij., i cili duhet të miratohej nga zyra përkatëse. Punët e jashtme kanë çeshtjet e tyre specifike dhe kam mësuar shumë në këtë drejtim. Gjatë vizitës së tij të tretë në Tiranë kryeministri Çou u takua me ne dhe na pyeti për studimet. Unë iu përgjigja se sapo kisha përfunduar kursin e gjuhës greke dhe isha diplomuar e të nesërmen do të kthehesha në Kinë. Kryeministri Çou tha se edhe ai do të kthehej të nesërmen në Kinë ndaj do të udhëtonim në të njejtin avion. Më bëri përshtypje se si një udhëheqës i lartë i vendit ishte kaq i thjeshtë me ne. Kanë kaluar 50 vjet nga ajo kohë por unë ende e kujtoj.

Gazetarja: E keni vizituar përsëri Shqipërinë?

Sun Chengxi: Jo. Përveç qëndrimit tim 2 vjeçar për mësimin e gjuhës greke nuk e kam vizituar më Shqipërinë. Por kujtoj disa fjalë shqip akoma si shoku, shoqja, apo shumë bukur. S'mund të harroj miqësinë e shqiptarëve ndaj nesh. Ndonëse jam një 80 vjecar, dëshiroj të vizitoj përsëri Shqipërinë. (Çang Çuo)