"> Tradita martesore në Kinë<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Tradita martesore në Kinë
  2016-02-04 16:50:50

Tradita martesore në Kinë

Si një pjesë e kulturës kineze, tradita e martesave ka një moshë 5 mijë vjeçare, por që me kalimin e kohës është shndërruar në kuptimin shoqëror dhe etik. Martesat duke kaluar nga një dinasti në tjetrën kanë ndryshuar, duke u përshtatur me kohën dhe zhvillimin shoqëror, por gjithmonë duke u ruajtur tradita e tyre nga një brez në tjetrin.

Zhvillimi I traditës së lashtë martesore në Kinë

Zakonet e martesës në Kinë kanë kaluar në 5 etapa të rëndësishme përgjatë historisë 5 mijëvjeçare të vendit. Këto lidhje martesore kanë kaluar nga martesat primitive në grup, në stadin eksogam dhe më pas duke arritur në martesën monogame. Të gjitha llojet e martesave reflektojnë zhvillimin shoqëror të vendit, bazuar në atë ekonomik.

Martesat monogame

Kur sistemi shoqëror patriarkal i zuri vendin atij matriarkal nisën të lindnin martesat monogame. Në martesat e lashta monogame burri zotëronte çdo gjë në familje, madje dhe gruaja konsiderohej si pronë e tij dhe e vetmja detyrë e saj ishte lindja e fëmijëve.

Parimet e martesës së lashtë kineze

Sipas konfucianizmit, martesa nis me ceremoninë e dasmës, e cila përbën një ndikim të veçantë në shoqëri. Madje vetëm martesat me ceremoni formale dasme njiheshin si të tilla. Parimet bazë të një martese të lashtë përfshijnë statusin social të çiftit, diktatin e prindërve dhe këshillat për çiftin e ri, ndalimin e martesave nëse bashkëshortët kishin të njejtin mbiemër dhe toleranca për poligami.

Statusi i lashtë martesor

Në Kinën e lashtë mosha e martesës për një mashkull ishte 20 vjeç, ndërsa për një femër 16. Gjatë sundimit të dinastisë perëndimore Zhou, martesat mes klasave të ndryshme sociale, si një i varfër dhe një e pasur nuk lejoheshin me ligj. Ky parim vazhdoi deri në kohën e dinastive të jugut dhe veriut në vitet kur sundonte sistemi feudal, që e bënte të pamundur martesën mes një fisniku dhe një njeriu të thjeshtë. E njejta traditë u respektua dhe në dinastitë Tang, Ming dhe Qing.

Diktati i prindërve në familje

Lidhja martesore me dashuri e çiftit ishte e ndaluar në Kinën e lashtë, pasi konsiderohej si një ofendim publik dhe shkelje e traditës konfucianiste. Sipas kodit të sjelljes së Konfucianizmit prindërit merreshin me gjetjen e nuses së djalit të tyre, duke ruajtur kështu traditën e një shoqërie patriarkale. Diktati i prindërve për zgjedhjen e bashkëshortit apo bashkëshortes së fëmijës ishte në respekt me ligjin në Kinën e lashtë.

Po kështu çifti i ri duhet ti bindej vullnetit të prindërve dhe të ndiqte këshillat e tyre. Çifti i ri nuk e kishte parë njeri-tjetrin para ditës së dasmës, gjë që ndikonte në martesat e lidhura pa dashuri dhe me mungesë barazie.

Rituali martesor tradicional

Zakonet e martesës tradicionale variojnë nga një zonë në tjetrën dhe nga një dinasti në tjetrën. Kohës i kanë rezistuar 6 rituale të njohura si "Letrat e 6 etiketave".

Tre letrat

Në këtë traditë përfshihen kontrata martesore, letra e dhuratave dhe letra e martesës, ku secila prej tyre përdorej në rituale të ndryshme martesore. Kontrata martesore: është një kontratë zyrtare ligjore e nënshkruar nga të dy familjet.

Letra e dhuratave- përcakton qartësisht llojin dhe sasinë e dhuratave që bëhen për çiftin e martuar

Letra e dasmës- është letra që I uron nuses mirëseardhjen në shtëpinë e dhëndrrit.

6 etiketat

Në këtë ritual përfshihen 6 detyra që kryejnë familjet e çiftit para martesës, ndër të cilat propozimi për martesë, përshtatja mes çiftit për sa i përket moshës, gjendjes sociale etj, nënshkrimi i kontratës martesore, letra e dhuratave, përzgjedhja e datës së dasmës dhe zhvillimi i ceremonisë së dasmës.Këto parime u hartuan gjatë sundimit të Dinastisë perëndimore Zhou, ku vërehet se populli kinez I kushtonte një rëndësi të madhe martesës.

Propozimi për martesë- është rituali ku prindërit e djalit i kërkonin shkuesit të kërkonte vajzën e caktuar prej tyre në familjen e saj.

Përshtatja mes çiftit- është një ritual i lashtë i bazuar në datën e lindjes së bashkëshortëve ku një parashikuese fati shihte të ardhmen e tyre. Nëse ajo thoshte se çifti ishte I përshtatëshëm sipas astrologjisë kineze atëhere nuk kishte pengesë për martesë.

Nënshkrimi i kontratave martesore- shkuesi njoftonte prindërit e vajzës për nënshkrimin e kontratës martesore, asaj të dhuratave. Pata e egër migruese konsiderohej si një dhuratë e rëndësishme gjatë sundimit të dinastisë perëndimore Zhou.

(Eda Merepeza)