">Infrastruktura udhëheq samitin Kinë-Europa Qendrore e Lindore<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Infrastruktura udhëheq samitin Kinë-Europa Qendrore e Lindore
  2015-11-25 21:03:53


Infrastruktura 'udhëheq' samitin Kinë-Europa Qendrore e Lindore

Kina dhe 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore përcaktuan disa fusha për të nxitur bashkëpunimin e gjithanshëm gjatë pesë viteve të ardhshëm.

Prioritet do të mbetet infrastruktura, financat dhe bujqësia, të cilat përcaktojnë dhe axhendën afatmesme të lëshuar pas samitit të katërt Kina – Europa Qendrore e Lindore i mbajtur në qytetin Suzhou, të provincës lindore Jiangsu.

Gjatë samitit me temë "Fillim i ri, fusha të reja, vizion i ri," Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore ranë dakord për t'i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri brenda kornizës së bashkëpunimit të njohur si mekanizmi '16+1'.

Kryeministri kinez Li Keqiang propozoi themelimin e partneritetit me fitime të ndërsjella midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, që do të përqendrohet për të nxitur ndërlidhjen dhe përparimin e bashkëpunimit për kapacitetin prodhues.

Gjatë samitit, Kina nënshkroi marrëveshje të posaçme me Hungarinë dhe Serbinë për ndërtimin e hekurudhës së shpejtësisë së lartë midis Beogradit dhe Budapestit.

Ndërtimi i kësaj hekurudhe që do të shkurtojë përgjysmë kohën e udhëtimit midis dy kryeqyteteve, do të fillojë brenda këtij viti dhe do të përfundojë brenda dy viteve.

Kryeministri Li propozoi gjithashtu nismën për të nxitur bashkëpunimin midis porteve të Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi.

"Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me vendet e Europës Qendrore e Lindore në tre rajone detare. Duke qenë se ne kemi eksperiencë të pasur për projektimin e porteve dhe makinerive të prodhimit, jemi të gatshëm për të investuar në projektet e porteve të vendeve të Europës Qendrore e Lindore."

Kryeministri Li shtoi se kanalet e financimit do të zgjerohen për të lehtësuar investimet në vendet e Europës Qendrore e Lindore.

"Ne kemi propozuar krijuar e një "fondi shumëpalësh financiar brenda mekanizmit '16 +1'. Ne do të nxisin projektet, sidomos ato më të mëdha, sipas parimit tregtar. Nga njëra anë, Kina kërkoi anëtarësimin në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të mbështetur projektet e ndërtimit. Nga ana tjetër, Kina do të mbështesë prodhimin e pajisjeve nëpërmjet një banke tregtare për të përmbushur kërkesat e vendeve të Europës Qendrore e Lindore. "

Kryeministri Li tha gjithashtu se Kina do të shtojë importimin e produkteve cilësore bujqësore nga vendet e Europës Qendrore e Lindore, si dhe të nxitë shkëmbimet njerëzore.

Tregtia e Kinës me vendet e Europës Qendrore e Lindore ka një vëllim prej 60 miliardë dollarësh, sa një e dhjeta e vëllimit të përgjithshëm me vendet europiane.

Kryeministri shqiptar Edi Rama kërkoi shtimin e koordinimit midis nismave të Kinës dhe atyre të Bashkimit Europian, ndërsa fliste në tryezën e rrumbullakët organizuar nga kryeministri kinez Li Keqiang me kryeministrat e vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Ai theksoi se takimi i këtij viti konfirmon vullnetin politik dhe angazhimin e 16 vendeve pjesëmarrëse për të rritur nivelin e bashkëpunimit me Kinën.

"Duhet të identifikohen perspektiva sinergjike dhe masa të reja ndërmjet mekanizmit "16+1" dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe BE-së, midis nismës "Brezi dhe Rruga" dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, për të përkufizuar më mirë marrëveshjen trepalëshe midis Kinës, Europës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në këndvështrimit tonë, qëllimi i kësaj nisme është bashkëpunimi ekonomik dhe vazhdimësia e dialogut politik. Marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë, në vitin e tyre të 66 janë shumë pozitive për momentin dhe jam i kënaqur të nënvizoj që po forcohen në drejtime të tjera. Nisma "16+1" dhe projektet e nismës "Brezi dhe Rruga" janë dy platforma të tjera që forcojnë marrëdhëniet tona", tha Rama.

Samiti midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore do të ofrojë një mundësi të shkëlqyer për forcimin e bashkëpunimit midis të dy palëve si dhe midis Kinës dhe Europës.

Takimi i katërt i krerëve të qeverive të Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore filloi të martën në qytetin Suzhou të Kinës.

Kryeministri kinez Li Keqiang dhe udhëheqësit europianë do të takohen gjatë samitit dyditor, në aktivitetin më të rëndësishëm të vitit të kësaj kornize bashkëpunimi.

Mekanizmi i takimit "16+1, filloi në vitin 2012. Ai ka ndihmuar deri tani për thellimin e miqësisë tradicionale, marrjen e fitimeve të ndërsjella dhe ka nxitur marrëdhëniet midis Kinës dhe Europës.

Li dhe udhëheqësit europianë pritet të diskutojnë nxitjen më tej të zhvillimit të përbashkët.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Kinës, Li do të marrë pjesë në forumin ekonomisë dhe tregtisë. Samiti i këtij viti që zhvillohet nën temën "Fillim i ri, fusha të reja, vizion i ri," do të jetë kuptimplotë e i qëndrueshëm për të realizuar një marrëdhënie të thellë e të baraspeshuar midis Kinës dhe Europës, si dhe do të përcaktojnë zhvillimin në të ardhmen.

Kjo është hera e parë që Kina organizon këtë takim të udhëheqësve, ndaj 'fillimi i ri' tregon se të dy palët do të hyjnë në një periudhë të rëndësishme bashkëpunimi për të ardhmen.

Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore pritet të marrin masa ta reja dhe të zgjerojnë fushën e bashkëpunimit në lidhjen infrastrukturore, investimet dhe tregtinë, financat, bujqësinë dhe shkëmbimet midis njerëzve.

Ata gjithashtu do të parashikojnë një vizion të ri zhvillimi për pesë vitet e ardhshëm për të ngritur në nivelin më të lartë bashkëpunimin e tyre, ndërkohë samiti do të nxjerrë disa dokumente të rëndësishme.

Falë rritjes dhe përmirësimit të mekanizmit, bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore është zgjeruar në fusha të reja duke dhënë rezultate më të mëdha.

'Një brez, një rrugë'

Mes rritjes së globalizimit ekonomik, zhvillimi i Kinës është integruar gradualisht me atë të pjesës tjetër të botës, ndërsa zhvillimi i botës lidhet me ëndrrën e popullit kinez për një të ardhme më të mirë.

Për shkak se Kina është vendi më i madh në zhvillim dhe ekonomia e dytë më e madhe e botës, formulimi i politikave të saj ekonomike shoqërore ngjall vëmendjen e mbarë botës.

Vendet anembanë globit, duke përfshirë Europën Qendrore dhe Lindore, janë duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit me Kinën, në mënyrë që të ndajnë më shumë përfitime nga reformat dhe zhvillimi i gjigantit aziatik.

Sipas Ministrisë së Tregtisë së Kinës, afro 1,000 udhëheqës biznesesh nga Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore do të marrin pjesë në forumin e tregtisë dhe investimeve gjatë samitit, ku pritet që nisma e propozuar nga Kina, 'Një brez, një rrugë' të jetë një ndër temat kryesore.

Nisma e propozuar nga presidenti i Kinës Xi Jinping në vitin 2013 që përbëhet nga Brezi Ekonomik i Rrugës së Mëndafshit dhe Rruga Detare e Mëndafshit e shekullit të 21-të, synon të ndërtojë lidhjet tregtare dhe infrastrukturore që lidhin Azinë, Europën dhe Afrikën.

Duke qenë se çereku i vendeve që prek kjo nismë ndodhen në Europën Qendrore e Lindore, rajoni mund të luajë një rol të rëndësishëm për shkak të pozitës gjeografike për të lidhur Azinë dhe Europën.

Analistët mendojnë e vendet e Europës Qendrore e Lindore do të jenë një nyje e rëndësishme e nismës 'Një brez, një rrugë', duke nënvizuar se ndërlidhja do të përmirësojë infrastrukturën dhe nxisë rritjen ekonomike për rajonin.

Por si është zhvilluar bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kinës gjatë vitit 2015?

Kryeministrat e Kinës dhe Shqipërisë u takuan edhe një herë në Beograd, dhjetorin e kaluar. Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministri kinez Li Keqiang vlerësoi lart miqësinë tradicionale midis dy vendeve. Të dy vendet shënuan 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

"Kina dëshiron t'i çojë në një nivel më të lartë marrëdhëniet dypalëshe dhe njëherësh dëshiron të marrë pjesë aktivisht në ndërtimin e autostradave, hekurudhave dhe porteve shqiptare," tha kryeministri kinez".

"Samiti është me një rëndësi madhore për të gjitha vendet e rajonit. Për Shqipërinë padyshim, sepse bëhet fjalë për një nismë konkrete për të zhvilluar së bashku projekte konkrete. Ne sot finalizojmë një përpjekje njëvjeçare që na ka çuar në një formulë të re inovative për financimin e Rrugës së Arbrit, një formulë që nëpërmjet kryeministrit kineze do t'u propozohet disa vendeve të tjera që nuk mund të thellojnë borxhin dhe të marrin garanci sovrane. Nga ana tjetër kemi një sërë kontakte të rëndësishme me të tjerët në rajon për të folur dhe për të finalizuar shpresoj një qëndrim të propozuar prej nesh për gjithë sistemin hekurudhor të rajonit, sikundër edhe një sërë projektesh të tjera me palën kineze, në marrëdhëniet midis nesh dhe Kinës, për infrastrukturën, për zonat industriale dhe me shumë shprese dhe këmbëngulje për mbështetjen e rilindjes së bujqësisë përmes një financimi të ndjeshëm në të gjithë sistemin e ujitjes dhe të kullimit që është në gjendje të keqe."

Më tej gjatë vitit 2015, u zhvillua panairi i turizmit i Pekinit, i cili u dha mundësi agjencive turistike shqiptare të takohen drejtpërdrejt me kompanitë kineze në një shkëmbim sipas formës biznes me biznes. Kjo është një prej platformave më të rëndësishme të Kinës për të nxitur bashkëpunimin midis përfaqësuesve të industrisë në fjalë.

Kina pritet të kalojë Shtetet e Bashkuara për nga numri i turistëve që udhëtojnë jashtë vendit, e ku vetëm gjatë vitit 2014, 107 milionë kinezë udhëtuan në vende dhe rajone të tjera të botës.

Alborent Rama, përgjegjësi i marketingut i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, thotë se pjesëmarrja në këtë panair ishte guri i parë i themelit në tregun e fuqishëm të Kinës.

"Ka qenë një befasi e këndshme fakti kemi gjetur që në ditën e parë një interes të jashtëzakonshëm nga turistët kinezë për të njohur Shqipërinë. Po promovojmë një Shqipëri që nuk është e fokusuar vetëm tek turizmi i rërës dhe i dielli, por një turizëm me alternativa gjatë gjithë vitit. Shqipëria ka një ofertë turistike uinike ," tha Rama.

Shqipëria gjithashtu i prezantoi burimet e saj turistike para një publiku të gjerë biznesi në Ningbo të Kinës Lindore, në Konferencën e Bashkëpunimit dhe Shkëmbimeve për Turizmin. Drejtorja e Departamentit të Azisë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Albana Dutllari, iu bëri thirrje agjencive turistike të Kinës ta përfshijnë Shqipërinë në udhëtimet që ato zhvillojnë në Europë. Prej kohësh agjencitë turistike të Shqipërisë kanë përgatitur paketa udhëtimi për të gjithë rajonin e Ballkanit, duke zgjeruar mbulimin e tregut dhe duke ofruar mundësi turistike më të kompletuara për udhëtarët kinezë.

"Ndërsa vizitoni Shqipërinë ju do të përjetoni një eksperiencë të paharrueshme, sepse ajo ju ofron një produkt të plotë, me një peizazh të mrekullueshëm në të gjitha destinacionet e saj turistike. Pasi të keni vizituar Shqipërinë, ju do të ktheheni në shtëpi të çlodhur dhe plot energji," tha Dautllari,

Njëkohësisht, Shqipëria mbështet nismën e Kinës 'Një brez, një rrugë', dhe '16+1' (bashkëpunimi i Kinës me vendet e Europës Qendrore e Lindore,) tha zv/ministri i Jashtëm i Shqipërisë Selim Belortaja, kur takoi në Ningbo ndihmësin e ministrit të Tregtisë së Kinës, Wang Bingnan. Belortaja tha se Shqipëria po kombinon bashkëpunimin ekonomik me Kinën me axhendën e integrimit europian.

"Shqipëria është e vendosur për të ndjekur nismat e Kinës dhe do të përpiqet t'i kombinojë ato me axhendën integrimit europian, të cilat së bashku janë në harmoni të plotë," tha zv/ministri i Jashtëm i Shqipërisë.

Zoti Berlortaja prezantoi ligjin e ri të mbrojtjes së investimeve të huaja dhe atë për krijimin e tre zonave të lira ekonomike, ndërsa ftoi investitorët kinezë të marrin pjesë në zhvillimin e këtyre zonave.

Shqipëria ka përmirësuar marrëdhëniet e bashkëpunimit ekonomik me vendet fqinje, për t'iu ofruar investuesve mundësi më të mëdha dhe qasje në një treg më të gjera sesa vetëm ai i Shqipërisë.

Nga ana e tij, ndihmësi i ministrit të Tregtisë të Kinës, Wang, Bingnan, e falënderoi zotin Belortaja për prezantimin. Ai tha se Kina ka sipërmarrje të mëdha me aftësi të forta, të cilat i nxit për të marrë pjesë në projektet e infrastrukturës dhe në zhvillimin e zonave të lira ekonomike.

"Ne inkurajojmë institucionet financiare që të plotësojnë gjithashtu nevojat e Shqipërisë," tha Wang.

Shqipëria dhe Kina po përgatisin 'Memorandumin e Bashkëpunimit në Kulturë'. Këtë e deklaroi ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro ndërsa përshëndeti në ceremoninë e hapjes së 'Muajit të Turizmit të Kanalit të Madh të Kinës' në Yangzhou të provincës Jiangsu që u mbajt më 30 shtator.

"Kultura ka një rol të veçantë të ndërtimit të urave midis njerëzve, shton komunikimin, frymëzon dialog, duke sfiduar me fuqinë e saj të tashmen dhe të ardhmen. Duke sfiruar largësinë fizike dhe historike midis njerëzve. Si ministre e kulturës, duan që të nxit fuqizimin e shkëmbimeve kulturore me Kinën dhe së shpejti ne do të përgatisim 'Memorandumin e Bashkëpunimit në Kulturë', midis Kinë dhe Shqipërisë. Gjithashtu jam shumë krenare që Shqipëria është pjesë e bashkëpunimit kulturor midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, së bashku me 15 vende të tjerë. Në nëntor ne do të takohemi së bashku për të shkëmbyer eksperienca dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta për menaxhimin e trashëgimisë sonë kulturore," tha Kumbaro.

Iljaz Spahiu, kryetari i Shoqatës Kulturore të Miqësisë Shqipëri - Kinë, shpreson që shqiptarët të njohim më mirë Kinën, si dhe vlerësoi nismat e qeverisë kineze, 'Një brez, një rrugë' dhe '16+1'. Ai nënvizoi se ato do të nxitin lidhjet midis dy vendeve Kinës dhe Shqipërisë.

"Besoj se nëpërmjet këtyre aktiviteteve do të nxitet zhvillimi i marrëdhënieve mes të të dy vendeve, sidomos shqiptarët mund të njohin kulturën e Kanalit të Madh të Kinës. Këto aktivitete mund të prezantojnë bukuritë, historinë dhe kulturën 2500 vjeçare të Yangzhou-t tek shqiptarët. Nismat 'Një brez, një rrugë' dhe '16+1' të qeverisë kineze do të krijojnë një linjë lidhjeje të shpejtë tokësore dhe detare midis Kinës dhe Europës, duke pakësuar largësinë midis Kinës dhe vendit tonë. Këto nisma do të ndërtojnë ura lidhëse midis zemrave të popujve. Nisma 'Një brez, një rrugë' i dha energji të re sistemit të bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore," tha Spahiu.