">Rritja e fëmijës. Opinione pro dhe kundër<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Rritja e fëmijës. Opinione pro dhe kundër
  2015-11-23 18:30:38

Kësaj pyetje prindër nga vende të ndryshme të botës i përgjigjen në mënyra të ndryshme, pavarësisht se për të gjithë prindërit fëmija është i shtrenjtë.

Në Kinë në shumicën e rasteve rritja e një fëmije kërkon angazhimin jo vetëm të prindërve, por edhe të gjyshërve, pra të mbarë familjes.

Por shumë të huaj nuk e mendojnë fare këtë mënyrë të rrituri të fëmijëve, madje i konsiderojnë të llastuar fëmijët kinezë, që rriten me kaq shumë përkujdesje.

Kohët e fundit në Kinë u miratua politika e re e planifikimit familjar, sipas të cilës çdo çift kinez mund të ketë 2 fëmijë. Sipas një raporti të medias kineze Global Times, ky ligj i ri do të rritë numrin e të porsalindurve deri në 20 milion deri në vitin 2017.

Të huajve që jetojnë në Kinë disa nga përkujdesjet e treguara nga gjyshërit për rritjen e nipave dhe mbesave ju duken të tepruara. Por nga ana tjetër ata vlerësojnë shumë marrëdhëniet e afërta dhe solidaritetin që ekziston në familjet kineze, çka është disi më e rrallë në vendet perëndimore.

Paula është një 30 vjeçare australiane e cila jeton prej 2 vjetësh në Shangai. Ajo është e martuar me një kinez me origjinë nga provinca Shandong. Paula vëren shumë dallime mendimesh përsa i përket mënyrës së rritjes së fëmijës me bashkëshortin e saj kinez dhe familjen e tij.

Ivy është një nënë kino-amerikane me dy djem e cila jeton në Pekin. Prindërit e kanë rritur atë sipas mënyrës perëndimore ndërsa i shoqi i saj është amerikan. Sipas saj shumë familje kineze kanë problem përsa i përket edukimit të fëmijëve.

Tim është një 29 vjeçar amerikan që jeton prej një viti në Pekin dhe nisur nga miqësia me një kinez dhe familjen e tij ai ka nxjerrë disa përfundime përsa i përket kësaj familjeje të re.

Timi tregon se shoku i tij kinez David e shoqëronte shpesh dhe dilnin së bashku kur ai ende nuk ishte bërë baba. Por pas lindjes së fëmijës së tij të pare ai bashkë me të gjithë pjestarët e familjes, ku përfshihen dhe prindërit e tij dhe të bashkëshortes, merren vetëm me përkujdesin ndaj të porsalindurit. Sipas amerikanit Tim është e panevojshme që aq shumë njerëz të merren me përkujdesjen e të porsalindurit. Ai është befasuar kur ka vizituar shtëpinë e mikut të tij kinez David dhe ka pare se sa shumë vetë kujdesen për beben.

Australiania Paula tregon se prindërit e të shoqit të saj kinez nisën të kujdesen për beben e saj qysh para se të lindte. Asaj i ka bërë një përshtypje të madhe fakti se kur ishte në muajin e 5-të të shtatzanisë prindërit e të shoqit, tezet e tij dhe xhaxhallarët së bashku me gjyshen 90 vjeçare kishin udhëtuar nga Jinan i provincës Shandong deri në Shangai për të vizituar çiftin që priste një fëmijë dhe për ti uruar ata.

Paula duke ndjekur mënyrën perëndimore të shtatzanisë shkonte në palestër ndonëse shtatzanë, por vjehrra e saj kineze ishte krejtësisht kundër kësaj. Paula u kujdes vetë për foshnjen e saj në 3 muajt e pare të lindjes, por më pas shkoi në punë dhe vjehrra e saj u angazhua me rritjen e nipit të saj. Por metodat e përdorura për rritjen e foshnjes nga gjyshërit e tij kinezë për Paulën ishin të papranueshme. Ndërsa Paula përpiqej ta rriste djalin që të bëhej i pavarur, gjyshërit e foshnjes e përkëdhelnin pafundësisht atë. Ky është një dallim i madh në familjen kino-australiane, ku përveç prindërve që merren me rritjen e fëmijës, janë angazhuar dhe gjyshërit, të cilët kryesisht plotësojnë çdo tekë të fëmijës, që çon në përkëdheljen e sigurtë të tij.

Një tjetër e huaj mendon se zëri i fëmijës dëgjohet shumë në familjet kineze, madje ka raste kur të rriturit i përgjigjen çdo kërkese të fëmijës. Për këtë të huaj "fëmijët kinezë janë shumë të përkëdhelur. Ata arrijnë tu kërkojnë llogari prindërve , madje dhe gjyshërve për gjëra të ndryshme.

Një pjesë e të huajve që janë martuar me kinezë dhe kanë krijuar familje të përziera e pëlqejnë edukimin e fëmijëve nga prindërit kinezë. Ata vlerësojnë mënyrën se si këta të fundit plot përkushtim i dërgojnë fëmijët në kurse të ndryshme edukimi që në moshën parashkollore dhe mendojnë se kjo ndikon shumë në përcaktimin e talentit të fëmijës.

Qendra të ndryshme edukative për fëmijë ofrojnë kurse të gjuhës angleze dhe kanë pajisje të teknologjisë së lartë që ua bëjnë më të lehtë fëmijëve mësimin, ndonëse ende të vegjël.Vlerësim marrin dhe gjyshërit kinezë të cilët ndonëse kanë rritur fëmijët e tyre dhe janë pensionistë e quajnë përparësi rritjen e nipit apo mbesës dhe përkushtohen pa asnjë hezitim për këtë, vullnet që sikur është zbehur nga gjyshërit perëndimorë. (Eda Merepeza)