">Dilema për një fëmijë të dytë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Dilema për një fëmijë të dytë
  2015-11-10 16:58:46

Lajmi për heqjen e kufizimit për lindjen e fëmijës së dytë në Kinë, vendi me popullsinë më të madhe në botë, ishte në fokus të të gjitha mediave botëtore, në fund të tetorit.

Në Pleniumin e 5-të të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, që përfundoi punimet në fund të shtatorit në Pekin, u vendos të lejohet lindja e dy fëmijëve për të gjitha çiftet, me qëllim ngadalësimin e plakjes së popullsisë.

Në vitet e '70 të shekullit të kaluar, planifikimi familjar hyri në fuqi si një politikë kontrolli ndaj rritjes së vrullshme të popullsisë në Kinë. Pas zbatimit mbi 30 vjeçar të kësaj politike, në vitin 2013, çiftet e përbërë nga fëmijë të vetëm fituan të drejtën të kenë dy fëmijë, pa u gjobitur. Por shumë çifte në moshën e duhur për të lindur fëmijë nuk treguan entuziasmin e pritshëm pas lehtësimit të kësaj politike. Vërtet ka ndryshuar politika e planifikimit familjar, por bashkë me të dhe mentaliteti i kinezëve për numrin e fëmijëve.

Në fakt kjo dukuri ishte parashikuar nga ekspertët sepse që nga viti 2013, kur çifteve të përbërë nga një fëmijë i vetëm iu lejua lindja e fëmijës së dytë, numri i lindjeve mbeti në nivele të ulta. Në një sondazh të zhvilluar në qytetin Weihai, të provincës Shandong të Kinës Lindore, mbi 70% e familjeve të intervistuara shprehën dëshirën për të patur dy fëmijë. Por realisht numri i çifteve që u lindën fëmijën e dytë ishte vetëm 6%, ndërsa në nivel kombëtar kjo shifër arriti në 12%.

Miao Hui, 37 vjeç nga qyteti Shangrao i provincës Jiangxi të Kinës Jugore ka një vajzë që ndjek shkollën e mesme. Ajo tha se një vit pas lindjes së fëmijës së dytë i duhej të kujdesej për vajzën e madhe që kryente provimet e pranimit në universitet, por dhe prindërit e moshuar. Kurse, moshatarja e saj Yang Xue shqetësohet për shëndetin e fëmijës së dytë. Sipas zonjës Yang, që nga lindja e fëmijës së parë të saj kanë kaluar 10 vjet dhe tashmë lindja e dytë në një moshë relativisht të madhe të nënës shton mundësitë e ardhjes në jetë të një foshnje me defekte fizike ose probleme shëndetësore.

Për të rinjtë që banojnë në metropole, ku kostoja e jetesës është më e lartë dhe u mungon ndihma për rritjen e fëmijëve dilema për një fëmijë të dytë bëhet edhe më e madhe.

27 vjeçari Mao Lixin punon në një bankë tregtare të Pekinit. Ndonëse është martuar në moshë të re ai thotë se nuk planifikon të ketë një fëmijë të dytë.

"Në Pekin shpenzimet për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve janë të larta. Nëse dua të kem një fëmijë tjetër duhet të blej një apartament më të madh. Prindërit më ndihmuan për blerjen e këtij apartamenti ku jetoj, ndaj nuk dua të shtoj problemet edhe për ta ", tha z. Mao.

Disa çifte të tjera kanë kërkesa të tjera. Z. Cai Lei është një biznesmen, në gjendje të mirë ekonomike dhe ka një vajzë. Ai thotë se bashkë me të shoqen kanë vendosur të mos kenë një fëmijë tjetër, pasi të dy janë të zënë me punë. Aktualisht shumë gra kineze kanë ambicje për karrierë dhe në këtë shtresë është ulur dëshira për shumë fëmijë.

Lidhur me këtë, profesori i asociuar i Fakultetit të Sociologjisë të Universitetit të Shangait, Zhen Zhihong thotë se bazuar në studime vërehet se gjatë procesit të globalizimit, deri tani asnjë vend nuk ka mundur të frenojë plakjen e popullsisë, nëpërmjet politikave për rritjen e lindshmërisë. Sipas tij, krahas nxitjes së lindshmërisë, duhet marrë parasysh dhe zgjatja e moshës së pensionit, krijimi i siguracioneve për kujdesin e të moshuarve etj.

"Studimet tregojnë se femrat që jetojnë në metropole janë të lidhura ngushtësisht me karrierën dhe kanë dëshirë më të ulët për lindjen e fëmijëve. Ndërkohë, brezi i fëmijëve të vetëm në familje, duke u mësuar me një nivel më të lartë jetese nuk dëshiron të kujdeset për më shumë fëmijë", tha prof. Zhen.

Ndërsa shumë familje përballen me dilemën e pasjes ose jo të një fëmije të dytë, banorët e qytetit Chengde të provincës Hebei janë indiferentë, pasi kjo politikë nisi të zbatohej këtu qysh para 30 vjetësh. Bashkë me qytetin Enshi të provincës Hubei të Kinës Jugore, qytetin Jiuquan të Kinës Veriperëndimore dhe distriktin Yixian të provincës Shanxi të Kinës Qendrore, edhe Chengde ishte pjesë e planifikimit familjar që nga koha kur nisi kontrolli i rritjes së popullësisë.

Wang Jinquani nga një fshat i Chengde-së ka dy djem. I dyti ka lindur dy vjet pas zbatimit të politikës së planifikimit familjar, pasi siç thotë ai për familjet fshatare, një fëmijë do të thotë një tjetër krah pune. Ky ishte mentaliteti i fshatarëve të kohës.

Sipas z. Sun Ruiguo,zv.sekretar i Komitetit të Planifikimit Familjar të Chengde-së, këto zona eksperimetale u zgjodhën të lidhura ngushtë me bujqësinë si burim jetese.

"Për banorët e këtyre zonave rurale pasja e vetëm një fëmije ishte problem për jetesën e tyre", tha z. Sun.

Rritja shumë e madhe e popullsisë së Kinës në vitet 80-të të shekullit të kaluar ishte në qendër të mentimit se liberalizimi i politikës së "Një fëmije" do të shkaktonte një bum të lindjeve. Por rezultatet ishin vërtet befasuese. Në vitin e dytë të zbatimit të kësaj politike në zonat eksperimentale, lindjet u rritën ndjeshëm, kurse nga viti i tretë, lindshmëria shënoi një nivel të ulët dhe me rënie të vazhdueshme. Pas 30 vjetësh, si në krahinat ku u zbatua planifikimi familjar, ashtu dhe në zonat eksperimentale nuk u shënua ndonjë dëshirë në rritje për fëmijën e dytë. Pavarësisht kësaj, liberalizimi i politikës së planifikimit familjar ka dhe rol pozitiv: në krahasim me krahina të tjera, statistikat demografike tregojnë se në këto rajone, struktura e grupmoshave të ndryshme është më e mirë.

Në 10 vitet e fundit, shumica e familjeve në rajonet eksperimentale shfaqën dëshirën për të lindur vetëm një fëmijë. Sipas Hu Guanghai, kryekomunar të fshatit Tonggou në Chengde, para zbatimit të planifikimit familjar, një çift kishte tre fëmijë. Por aktualisht secili nga këta ka krijuar familje dhe kanë vetëm një fëmijë. Shumë njerëz që kanë bërë regjistrimin e lindjes së fëmijit të dytë, kanë hequr dorë nga një numër më i madh fëmijësh ", tha z. Hu.

Znj. Wang Jixiang nga fshati Xiadianzi ka vetëm një djalë. Kur e pyesin për këtë zgjedhje ajo thotë se së bashku me të shoqin kanë patur fëmijëri të vështirë, pasi u përkisnin familjeve me shumë fëmijë.

"Tani, shteti subvencionon për lindjen e një fëmije. Por ne duam të gëzojmë një jetë më të mirë, se sa prindërit tanë", shtoi znj. Wang.

Ndërsa për 30 vjeçarin Zhang Chunran, punonjës në Kompaninë Metalurgjike të qytetit Chengde, "presionet ekonomike dhe kostot e tjera të rritjes së fëmijëve janë faktorët kryesorë për marrjen e vendimit për një fëmijë të dytë. Heqja e kufizimit të lindjeve është pozitive. Por i takon gjithësecilit të zgjedhë për të patur ose jo një fëmijë të dytë ".