">Pekini 3 mijë vjeçar<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Pekini 3 mijë vjeçar
  2015-10-22 18:26:46

Pekini 3 mijë vjeçar

Pekini është qendra politike, ekonomike, sociale dhe kulturore e Kinës. Kryeqyteti kinez ka një histori 3 mijë vjeçare. Është lehtë të mendohet se sa ndryshime ka pësuar hapësira gjeografike, zhvillimi deri dhe emri i kryeqytetit të sotëm të Kinës. Para disa ditësh u publikua projekti i "Planifikimit të emërtesave gjeografike të Pekinit" përmes të cilit priten propozime të qytetarëve. Në projekt i kushtohet rëndësi e veçantë respektimit të historisë, të mbrohet trashëgimia kulturore e Pekinit dhe emërtesat e distrikteve dhe hapësirave të tjera publike të tij. Projekti këshillon përdorimin së pari të emërtesave historike. Rëndësi e veçantë u jepet lagjeve të vjetra të Pekinit, që njihen me emrin Hutong dhe janë të pagëzuara me emërtesa po aq të vjetra. Projekti parashikon ruajtjen e këtyre emërtesave .

Pekini si kryeqytet i Kinës ka një moshë 860 vjeçare dhe gjatë kësaj periudhe ka pësuar ndryshime të mëdha. Ndryshe nga qytetërimi europian, në të cilin që nga lashtësia njihet Greqia e lashtë, Perandoria Romake, regjimet shterërore separatiste feudale të Mesjetës dhe lindja e kombeve pas Rilindjes, historia e Kinës ndahet në dinasti, që kishin një pushtet absolut, bazuar në unifikimin e Kinës.

60 emrat e Pekinit

Pekini mbështetet në malin Yanshan dhe në jugperëndim përshkohet nga lumi Yongding. Ai ndodhet në veri të Kinës dhe nga të gjitha dinastitë është konsideruar i rëndësishëm dhe i është kushtuar një kujdes i veçantë, përsa i përket administrimit shtetëror dhe ruajtjes së vlerave të tij historike, kulturore dhe natyrore. Ndër shekuj emri i Pekinit ka ndryshuar. Sipas një statistike në historinë e kryeqytetit kinez njihen 60 emërtesa të tij.

Në lashtësi, përfshirë periudhën e 5 perandorëve në vitet 2850 p.e.s deri në 2205 e.s zona e Pekinit njihej me emrin "Youling", ndërsa gjatë sundimit të dinastisë Xia emri i Pekinit të sotëm ishte "Jizhou".

Në fillim të sundimit të dinastisë perëndimore Zhou (1045 p.e.s -771e.s), mbreti Zhouwu e zgjeroi sipërfaqen përreth Pekinit me feude në Zhaogong, zone të cilën e quajti Yan, me kryeqendër në rrethinat e Liulihe, aty ku sot ndodhet distrikti Fangshan dhe ku ruhen ende disa mbetje arkeologjike.

Në periudhën e mëvonëshme një pasardhës i perandorit Yao, një ndër 5 perandorët mitologjikë të Kinës, mori në pronësi feudin Ji, që ndodhej në zonën jugperëndimore të Pekinit të sotëm.

Gjatë periudhës 770 p.e.s- -221 e.s zona e Pekinit ishte kryeqendra e mbretërisë Yan dhe njihej me emrin Yanjing, që do të thotë kryeqyteti i Yan-it. Oborri perandorak i dinastisë Qin (221 p.e.s-207 e.s)vendosi në distriktin Ji, në zonën e Pekinit, kryeqendrën e Guangyuang Jung, e barazvlefshme me një provincë të ditëve të sotme. Gjatë sundimit të perandorisë Han perëndimore (202 p.e.s -9e.s.), u caktua kryeqytet Youzhou ,ndërsa oborri perandorak Han lindor (25-220e.s.) risolli Pekinin në distriktin Ji të Guangyang Jun. Dinastia perëndimore Jin (266-316e.s.) e zëvendësoi Guangyang Jun me mbretërinë Yan, ndërsa kryeqendra Youzhou u transferua në Fanyang. Gjatë sundimit të dinastisë perëndimore Wei (386-557e.s.), Pekini njihej me emrin Yandu, që do të thotë kryeqyteti i Yan, por më vonë dinastia Sui (581-618 e.s.) e ndryshoi në Zhuo Jun, ku nis Kanali i Madh Jing-Hang në veri të Kinës.

Pas dinastisë Tang, qyteti u quajt përsëri Youzhou. Perandoria Liao (907-1125e.s.) krijoi kryeqytetin e saj në Shangjing, aty ku sot ndodhet Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendëshme. Në këtë periudhë Nanjingu njihej si kryeqyteti i jugut , pasi ndodhej në jug të Shangjing. Deri në dinastinë Jin, perandori Wanyan Liang e vendosi zyrtarisht kryeqytetin në Pekin, duke e quajtur Zhongdu, kryeqytet i qendrës dhe duke zgjeruar sipërfaqen e qytetit që ndodhej në juglindje të Pekinit, duke nisur kështu historinë 800 vjeçare të Pekinit.

Gjatë sundimit të dinastisë Yuan, Pekini njihej me emrin Dadu, kryeqytet i madh. Në vitin 1215, gjenerali Mukhali i trupave ushtarake të Gengis Khan, pushtoi Pekinin dhe u vendos menjëherë në Daxing Fu (distriktin )Yanjing Lu . Në vitin 1264, viti i pare i sundimit të Zhiyuan të perandorit Shizu, emri i qytetit u ndryshua nga Daxing Fu në Zhongdu Lu. Ndërsa në 1272,Daxing Fu u ndryshua përsëri në Dadu Lu, që në gjuhën e lashtë turke njihej si Khanbalik, që do të thotë "qyteti I Khan-it. Deri në atë periudhë Pekini ishte një metropol i madh dhe i begatë. Marco Polo në rrëfimet e tij e ka përshkruar Pekinin si një qendër politike. Pas krijimit të dinastisë Ming (1368-1644e.s), perandori Zhu Yuanzhang vendosi kryeqytetin në Nankin, ndërsa i biri Zhu Di uzurpoi fronin nga nipi i tij Zhu Yunwen,duke transferuar kryeqatetin e perandorisë në Pekin. Emri Pekin (Beijing) ju dha zyrtarisht në vitin 1421. Perandoria Ming kishte dy kryeqytete Beijing-kryeqyteti i veriut dhe Nanjing, kryeqyteti i jugut dhe 13 ministri. Gjatë dinastisë Ming, Pekini njihej dhe me emrin Jingshi, që do të thotë kryeqyteti i madh i perandorit.

Pas kalimit të Murit të Madh në vitet e mëvonëshme, trupat e dinastisë Qing u dislokuan në Pekin, të cilin e quajtën Shuntian Fu i Jingshi, që i përkiste provincës a Zhili. Më pas dinastia Qing themeloi kryeqytetin Pekin dhe vazhdoi të përdorte emrin Pekin.

Pas themelimit të Kinës Nacionaliste, qyteti vazhdoi të quhej Pekin. Në vitin e 17-të të themelimit të Kinës Nacionaliste në 1928, trupat revolucionale nisën ofensivën drejt veriut të vendit, duke sulmuar Pekinin dhe drejtuesi i luftës Zhang Zuolin u tërhoq në verilindje të vendit. Më 20 qershor të të njejtit vit, qeveria e Kinës Nacionaliste vendosi qytetin e veçantë të Beipingut, duke ulur nivelin administrative në atë provincial të Hebeit, porn ë dhjetor të të njetit vit, qyteti u rikthye në administrimin e drejtpërdrejtë të Këshillit Ekzekutiv të shtetit.

Në korrik të vitit 1937 në vitin e 26-të të Kinës Nacionaliste, trupat japoneze pas pushtimit të Beipingut, ndryshuan menjëherë emrin e tij në Pekin (Beijing). Në gusht të 1945, pas kapitullimit të Japonisë dhe çlirimit, autoritetet e Nanjingut vendosën sërish bashkinë e Beipingut, në kontrollin e Këshillit Ekzekutiv.

Në vitin 1949 u themelua Kina e Re. Më 21 shtator u zhvillua në sallën Huairen Konferenca e Parë Konsultative Politike e Popullit Kinez, gjatë së cilës u miratua që kryeqyteti I Republikës Popullore të Kinës të ishte Pekini. (Eda Merepeza)